Connect with us

Lajme

Rusia kërkon ekstradimin e shtetases ruse të arrestuar në Shqipëri, Shqipëria refuzon!

Publikuar

me

Autoritetet ruse kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva, e përfshirë në një incident në një uzinë ushtarake në Shqipëri vitin e kaluar.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan në një njoftim ka konfirmuar se kjo prokurori ka marrë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë, kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva.

Kujtojmë se shtetasja ruse u përfshi në një incident në një uzinë ushtarake në Shqipëri, së bashku me një shtetas tjetër rus dhe një shtetas ukrainas në gusht të vitit 2022, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

“Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësisë rezulton se shtetasja ruse Svetlana Timofeeva, lindur më 18.03.1989, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale ‘Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror’. Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit ‘Arrest në burg’, për veprën penale të sipërcituar”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se nga prokurori është marrë me shtetasen ruse për të cilën kërkohet ekstradimi, Svetlana Timofeeva, e cila sipas njoftimit ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.

“Në vijim të veprimeve procedurale, më datë 10.01.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka dorëzuar në gjykatë kërkesën me objekt: marrjen në shqyrtim të kërkesës së autoriteteve ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse Svetlana Timofeeva”, thuhet në njoftim.

Prokuroria konfirmon se aktualisht shtetasja ruse është e paraburgosur në Shqipëri nën masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh

Më 20 gusht të vitit 2022, ndodhi një incident në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hyjnë në uzinë, duke përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.

Për ngjarjen në Gramsh, shtetasit e huaj u arrestuan për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete” dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me incidentin në Gramsh, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se do të ketë një hetim të plotë rreth ngjarjes.

Në shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për dy shtetasit rusë dhe një shtetas ukrainas, të arrestuar për incidentin në uzinën ushtarake.

Reklama