Policia arreston edhe kirurgun Isuf Zekaj, dërgohet në mbajtje për 48 orë

1 minute, 29 seconds Read

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe kirurgun e tretë të Spitalit të Vushtrrisë, Isuf Zekaj.

Zekaj është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, katër ditë pasi ishte në arrati, shkruan Gazeta Shneta.

Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Ju njoftojmë që personi i dyshuar me iniciale I.Z., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Njëherit, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, seanca pritet të mbahet”, thuhet në njoftimin e Pretenit.

Zekaj është ende në detyrë si anëtar i Bordit të SHSKUK-së meqë nuk është shkarkuar ende nga Qeveria, edhe pse është iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Isuf Zekaj bashkë me dy kolegë të tij nga Spitali i Vushtrrisë, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj, të cilët u arrestuan të martën, dyshohen të kenë kryer veprën “marrje ryshfeti”, për kryerjen e operacioneve në këtë spital.

Sefiu dhe Latifaj u arrestuan të martën derisa Zekaj gjendej në pushim vjetor jashtë vendit dhe nuk ishte paraqitur në Polici edhe pse një gjë e tillë i ishte kërkuar atë ditë.

Sefiu gjendet në arrest shtëpiak me vendim të Gjykatës Themelore, derisa Latifaj është liruar në procedurë të rregullt.

Arrestimi i tyre ka ndodhur pas raportimit të Gazetës Shneta e cila publikoi disa video-dëshmi të pacientëve të cilët rrëfejnë se si iu kanë dhënë para mjekëve kinse për të blerë materialet e nevojshme për operacion.

Pas këtij raportimit të Gazetës Shneta, edhe media të tjera kanë publikuar dëshmi të pacientëve të tjerë.

Publikime te ngjashme