Connect with us

Lajme

Përfaqësuesit Ukrainas nga Zvicra e kundërshtojnë pjesëmarrjen e Vuçiqit në Davos: “E keni ftuar njeriun që nuk po e dënon dhe po e mbeshtet pushtimin rus”

Publikuar

me

Diaspora ukrainase në Zvicër po kundërshton pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Ata po i kërkojnë organizatorit shpjegime rreth pjesëmarrjes së liderit serb në Forum dhe ta pengojnë atë të përdorë forumin për të ndjekur agjendën e tij.

Për Asociacionin e Ukrainasve është e paqartë se pse presidenti i Serbisë u ftua për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror dhe cili mund të jetë kontributi i tij në panelin “Zgjerimi i Horizonteve Evropiane”, në të cilin pritet të flasë nesër (e enjte).

“Ne vëmë në dyshim legjitimitetin e paraqitjes së presidentit Vuçiq në Davos në dritën e përgjigjes së tij ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, që është padyshim kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane në shekullin e XXI. Është e vështirë për ne të kuptojmë se si presidenti Vuçiq mund të kontribuojë në një diskutim të tillë, veçanërisht kur duket se veprimet e tij të fundit po e cenojnë sigurinë evropiane, jo po e forcojnë atë”, njoftoi Asociacioni, duke iu referuar pjesëmarrjes së paralajmëruar të presidentit të Serbisë në një panel diskutimi që duhet t’i përgjigjet pyetjes, “Si mundet komuniteti i ri politik evropian të ndihmojë Bashkimin Evropian dhe fqinjët e tij në forcimin e sigurisë në kontinent për shkak të ndryshimeve më të gjera gjeopolitike?”.

Asociacioni rikujton se Serbia vazhdimisht refuzon të përafrojë politikën e jashtme me atë të BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe shton se, përveç Bjellorusisë, është i vetmi vend në Evropë që ende nuk e ka bërë këtë.

Ajo të kujton gjithashtu marrëveshjen që Serbia dhe Rusia e kanë nënshkruar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit të kaluar, e cila parashikonte konsultime për çështjet e politikës së jashtme.

Në letrën e hapur thuhet gjithashtu se deputeti i partisë në pushtet, Vladimir Gjukanoviq, ka deklaruar se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit, që për ukrainasit është jehonë e justifikimit të Putinit për luftën në Ukrainë.

Ndryshe, në forumin më të madh botëror ekonomik po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./Telegrafi

Reklama