Kosova do t’i marrë 888 milionë euro nga pakoja e BE-së

1 minute, 10 seconds Read

Kosova do t’i marrë 888 milionë euro nga plani për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, që u miratua të mërkurën nga Parlamenti Evropian, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) me burime nga Brukseli.

Është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian, që në total është 6 miliardë euro, për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

Siç raporton “RTS”, shuma e përcaktuar për secilin vend është marrë në bazë të një vlerësimi të Komisionit Evropian, që merr parasysh numrin e banorëve dhe nivelin e bruto produktit të brendshëm.

Sipas kësaj përllogaritje, 1 miliard e 630 milionë euro do t’i marrë Serbia, 969 milionë euro Bosnjë-Hercegovina, 924 milionë euro Shqipëria, 807 milionë euro Maqedonia e Veriut dhe 388 milionë euro Mali i Zi.

Këto mjete do të ndahen për katër vjet.

Për t’i marrë fondet, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar për reforma në pesë fusha kryesore – sundimi i ligjit, klima e biznesit dhe zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i kapitalit njerëzor, energjia dhe tranzicioni i gjelbër dhe sektori digjital.

Pasi Parlamenti Evropian i dha dritën e gjelbër, pritet që vendimi të konfirmohet zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të BE-së më 7 maj.

Publikime te ngjashme