Përplasja në autobusin e linjës 4 në Prishtinë, eskalon edhe në ekspozim të armëve

1 minute, 6 seconds Read

Një përplasje verbale dhe ekspozim të armëve raportohet se ka ndodhur sonte në Prishtinë.

Sipas një njoftimi nga faqja “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, ngjarja fare lehtë ka mundur të eskalojë dhe të shndërrohet në një tragjedi.

”Para pak çastesh, në linjën e Trafiku Urban Prishtinë nr.4 ka ndodhur një zënkë midis një shoferi të një veture dhe punonjësve të autobusit. E gjitha ndodhi pas një keqkuptimi në komunikacion, ku provokimi erdhi nga shoferi i autobusit duke bërë që shoferi i veturës ta ndal mjetin në rrugë dhe del nga vetura që të konfrontohet me ta”, thuhet në raportim.

“Në fjalosje e sipër, një nga personat në autobus i cili ishte punonjës i trafikut urban ka nxjerrë armën të cilën e kishte mbushur me plumba”.

“Për fat të mirë ai nuk e shkrepi, por në sy të gjithë udhëtarëve nxori plumbat nga revolja duke ja dhënë kondukterit për t’i gjuajtur në bërllok pasi që shoferi i mjetit që ishte ndalur para, kishe thirrur policinë”.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur në Bregun e Diellit, përkatësisht te xhambazët.

Telegrafi do t’iu mbajë të informuar për rastin, sapo të kemi informacione të reja zyrtare nga Policia e Kosovës./Telegrafi

Publikime te ngjashme