Atletico Madridi e Paris Saint-Germaini kanë nxjerrë biletat për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Atletico ka pësuar të martën në Madrid me rezultatin 2:1 nga Barcelona, por ndeshjen e parë çerekfinale si mysafir e kishte fituar 2:0. E Paris Saint-Germaini ka fituar 2:0 në udhëtim ndaj Liverpoolit. Me shifrat e njëjta fitoi edhe në shtëpi.
Dembele e dërgon Parisin në gjysmëfinale të Championsit

Photo: Associated Press
Fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembele ka shënuar dy gola për të hapur rrugën e Paris Saint-Germainit drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Pas fitores 2:0 ndaj Liverpoolit në “Parkun e Princave”, PSG-ja fitoi me rezultat të njëjtë edhe të martën në “Anfield”.
Për periudhë të gjatë, Liverpooli shfaqi më shumë në fushën e lojës. Por ishin parisienët që i shënuan golat dhe me rezultatin e përgjithshëm 4:0 avancuan në gjysmëfinale.
Dembele në minutën e 72-të shënoi për 1:0. Ai goditi mjeshtërisht pas një pasimi të Khvicha Kvaratskhelia. Fare në fund, në minutën e 91-të, Dembele shënoi për 2:1. Bradley Barcola ishte asistues.
Fituesi në fuqi i Championsit, Parisi, po vazhdon shkëlqimin në skenën evropiane. Ndërkohë Liverpooli është eliminuar në garën e vetme ku e kërkonte shkëlqimin e këtij edicioni.
Atletico e eliminon Barçën në përballjen e zjarrtë

Photo: Associated Press
Barcelona fitoi të martën mbrëma në “Metropolitano”, por festa ishte për Atletico Madridin, Diego Simeonen dhe tifozët e zjarrtë vendas.
Atletico Madridi avancoi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Barça e fitoi 2:1 ndeshjen e kthimit, por fitorja 2:0 e Atleticos në “Camp Nou” doli të jetë vendimtare.
Ndeshja nisi si më mirë për skuadrën e Hansi Flick.
Që në minutën e katërt Lamine Yamal realizoi për 1:0. Ferran Torres shënoi tjetër gol për Barcelonën në minutën e 24-t.
Por Atletico reagoi në minutën e 31-të kur për 2:1 shënoi Ademola Lookman.
Ferran Torres shënoi tjetër gol në minutën e 55-të, por që u anulua për ofsajd pas rishikimit të VAR-it.
Gjërat u bënë më të vështira për Barcelonën në minutën e 80-të, kur direkt me të kuq u përjashtua Eric Garcia. Ai la fushën pasi si lojtar i fundit e ndali në mënyrë të palejuar Alexander Sorlothin.
Barça nuk ndali përpjekjet për të barazuar rezultatin e përgjithshëm, por pa sukses. Rastin më të mirë e lëshoi Ronald Araujo. Ai nuk gjuajti saktë me kokë në minutën e 97-të.
Dhe për herë të dytë këtë edicion u eliminua për një gol nga Atletico Madridi. Skuadra e Simeones e eliminoi Barçën edhe në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

