Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kryer një vizitë inspektuese në fshatin Kalludër e Vogël të komunës së Zubin Potokut, ku po vijojnë me intensitet gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, Gërvalla nënvizoi rëndësinë e procesit, duke shprehur pritshmërinë që sa më shpejt të arrihen rezultate të sakta dhe konkrete nga terreni.
“Këtu gjithçka është duke u zhvilluar në mënyrë profesionale. Të gjitha njësitë e angazhuara po kryejnë punën e tyre me përkushtim dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta dhe konkrete, me qëllim që të mund t’u japim përgjigje familjarëve dhe t’u mundësojmë atyre prehjen e merituar të më të dashurve. Megjithatë, nuk është momenti për spekulime apo zhurmë mediatike. Le t’u lëmë hapësirë profesionistëve të përmbyllin punën e tyre dhe më pas do të verifikohet me saktësi se kush ndodhet në këtë lokacion dhe si do të procedohet më tej”, deklaroi ajo.
Më tej, ministrja vlerësoi punën e pandërprerë të institucioneve përgjegjëse, duke theksuar përkushtimin e tyre në zbardhjen e së vërtetës.
“Mendoj se është një zhvillim pozitiv që gërmimet po vazhdojnë dhe po japin rezultate. Është inkurajuese që çdo ditë, javë e muaj kemi institucione plotësisht të përkushtuara jo vetëm për zbulimin e varrezave masive, por edhe për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë. Ky presion ka dy synime kryesore: së pari, hapjen e arkivave zyrtare dhe, së dyti, dorëzimin e të gjithë personave të zhdukur, për të garantuar që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë në vendin tonë”, përfundoi ajo./lajmishqip.net
