Deputeti më i ri serb nga radhët e “Frontit të Gjelbër”, Dobrica Veselinoviq, ka mbajtur një fjalim sot në Kuvendin e Serbisë, ku ka trajtuar sfidat me të cilat përballet shteti serb, duke përfshirë në diskutim edhe çështjen e Kosovës.
Përgjatë fjalës së tij, Veselinoviq i është referuar Kosovës me termin “fqinjët tanë”, një formulim ky që ka nxitur menjëherë një reagim mjaft të ashpër nga kryetarja e parlamentit, Ana Brnabiq.
Sapo deputeti përfundoi fjalën e tij, kryetarja e Kuvendit serb ndërhyri prerazi, duke deklaruar se për institucionin që ajo udhëheq, Kosova nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë si fqinj.
“Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, ata nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, Krahinë Autonome e Kosovës. Ata nuk janë fqinjët tanë. Ky mund të jetë qëndrimi juaj personal, siç u pa qartë, prandaj edhe nuk ju ndërpreva, mirëpo ky nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë. Faleminderit”, ka deklaruar ajo./lajmishqip.net
