Ministria e Jashtme boshnjake thotë se Daçiq nuk është i mirëpritur në Bosnje

1 minute, 34 seconds Read

Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Bisera Turkoviq, paralajmëroi shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, se nëse viziton vendin e saj për të shënuar 9 janarin si Ditën e Republikës Serbe (RS), do të shkaktojë përkeqësim të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ministri i Jashtëm serb Daçiq, siç është paralajmëruar, duhet të arrijë më 9 janar në Sarajevën Lindore, ku autoritetet e RS, të udhëhequra nga Milorad Dodik, po planifikojnë një paradë të madhe me pjesëmarrjen e policëve të armatosur.

Së bashku me Daçiqin, të hënën në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të mbërrijnë edhe disa ministra të qeverisë serbe, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka vendosur që pjesë e delegacionit të jetë edhe djali i tij Danilo.

Turkoviq tha se Daçiq dhe anëtarët e delegacionit qeveritar nuk janë të mirëpritur në Bosnje dhe Hercegovinë për aktivitetet antikushtetuese të serbëve, raporton klix.ba.

“Ardhja e delegacionit të lartë të Republikës së Serbisë dhe pjesëmarrja në aktivitete antikushtetuese dëmton drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në mesazhin që Turkoviq i dërgoi Daçiqit.

Ajo i kujtoi atij vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, e cila konstatoi se duke festuar 9 janarin, RS shkel detyrimet që dalin nga Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventa Evropiane për Mbrojtjen të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore si dhe Kushtetutës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ajo gjithashtu theksoi se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Bosnjë dhe Hercegovinë trajtohet si vepër penale, gjegjësisht organizatorët e festimeve të kontestuara mund të përballen me ndjekje penale./Telegrafi

Publikime te ngjashme