Kurti fton kryeministrin grek për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë

1 minute, 53 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin pati një takim dypalësh.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti e ka uruar homologun e tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

“Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se gjatë këtij takimi u bisedua edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.

“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”.

Teksa kryeministri Kurti ka ftuar homologun e tij për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë.

“Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021”, thuhet tutje.

Publikime te ngjashme