Sveçla: Do të ketë libra për nxënësit – Por, botuesit duhet ta kenë të qartë se më nuk mund të fitojnë 500% në libra shkollor

2 minutes, 3 seconds Read

Synimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që ta ndryshojë strategjinë dhe do të vendosë brenda pak ditëve për planin e ri për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit, ka nxitur reagime të shumta.

Opozita po e konsideron të papranuëshmë planin që paratë t’iu jepen direkt prindërve për blerjen e librave dhe po kërkojnë shkarkimin e ministres për këtë shkak. Por subjekti që qeverisë me vendin, ka arsyetuar se deri te ky plan kanë ardhur pasi disa shtëpi botuese po abuzojnë me çmime shumë të lartë të librave.

Lidhur me këtë temë ka reaguar edhe asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, i cili tha nuk duhet të ketë fare shqetësim pasi që nxënësit nuk do të mbesin pa libra.

“Kjo qeveri, për herë të parë në vendin tonë, përveç tjerash, jep edhe shtesa mujore po për këta nxënës (fëmijë). Nuk kursen për ta, përkundrazi. Natyrisht se do ta gjendet mënyra më e mirë dhe më e favorshme për t’ju siguruar edhe librat”, ka thënë ai.

Ai shtoi se do të ketë edhe libra, por edhe menaxhim efikas të buxhetit.

Kjo, sipas tij, përveç se e mundshme, është edhe e domosdoshme, ndërsa pohoi se tashmë është dëshmuar se kjo qeveri nuk funksionon me shantazhe e kërcnime.

“Shtëpitë botuese, disa prej tyre, duhet ta kenë të qartë se më nuk mund të fitojnë 500% në libra shkollor. Ka ikur ajo kohë, bashkë me pushtetet e kaluara”, ka theksuar Sveçla.

Tutje ai tha se brenda pak më shumë se 2 vite në qeverisje, tani erdhi radha të merren me këtë çështje dhe kështu me radhë do të vazhdohet edhe me të tjera.

“Për ditë nga pak, diku më herët e diku më vonë, çdokund, do të trajtohen e do të eliminohen, me aq sa ka mundësi e hapësirë, të gjitha format e keqmenaxhimit të parasë publike. Nuk jemi të pagapushëm, por jemi në rrugë të drejtë. Nuk kemi pritë, e nuk presim, që rezistenca ndaj ndryshimit të jetë e lehtë, por jemi të përgatitur për shtigje të gjata. Sa më drejtë që ecim, aq më shumë do të ketë piskama”, ka shkruar në reagimin e tij asamblisti Sveçla.

Publikime te ngjashme