Kongresisti amerikan: SHBA-ja dhe partnerët evropianë janë në kërkim të një zgjidhje për çështjen e Kosovës

1 minute, 51 seconds Read

Kongresisti republikan amerikan, Michael Turner, tha se Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët evropianë po punojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku, si BE-ja dhe SHBA-ja, dhe të sigurohemi që partnerët tanë të gjejnë një zgjidhje së bashku, dhe kjo është ajo që Amerika do të vazhdojë të bëjë”, tha ai për mediat serbe.

Turner gjatë ditës është takuar me presidenten Vjosa Osmani.

“Kënaqësi të mirëpres në Kosovë kongresistin Mike Turner, Kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Inteligjencë”, thuhet në njoftim e Presidencës, shkruan Gazeta Sinjali.

Njoftimi vazhdon dhe tregon se Turner dhe Osmani kanë biseduar mbi thellimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA, sfidat për paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces.

Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

/GazetaSinjali

Publikime te ngjashme