Kina nisi ushtrinë drejt Tajvanit, lëviz luftanijet dhe avionët në brigjet e Tajvanit!

1 minute, 33 seconds Read

Kina nisi ushtrinë drejt Tajvanit, në tentativën e radhës të frikësimit. Të paktën një avion lufte dhe tre luftanije kanë lundruar në ujërat përreth ishullit në 24 orët e fundit, në të njëjtën ditë kur presidentja Tsai Ing-Wen takoi në Kaliforni, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se avionmbajtësja kineze Shandong ka kaluar Kanalin Bashi dhe ujërat në juglindje të ishullit, duke shkelur kufijtë e tij.

Për Pekinin, ky ishte një tregim force dhe gatishmërie për operacione në det të hapur për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e Kinës, duke e konsideruar dhe Tajvanin pjesë të saj.

Një paralajmërim u lëshua edhe në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e politikanëve separatistë dhe aktiviteteve politike të zyrtarëve nga Tajvani.

“Ky veprim shkel seriozisht parimin e një Kine të vetme dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta amerikano-kineze, minon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe dërgon një sinjal shumë të gabuar për forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit. Kina do të marrë masa të forta për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Tajvani e gjen veten në mes të një trekëndëshi të rrezikshëm dashurie, ku betejën më të madhe për të, edhe pse në distancë, po e bëjnë Kina dhe Amerika. Ishulli i vetëqeverisur kërkon pavarësinë prej kohësh, por Pekini e pretendon atë si pjesë të territorit dhe shpeshherë ka kërcënuar me përdorimin e forcës ushtarake për të mos lejuar shkëputjen.

Publikime te ngjashme