Dita e katërt: Serbët vazhdojnë protestat para objekteve komunale në veri

2 minutes, 50 seconds Read

Edhe për të katërtën ditë me radhë, serbët janë pozicionuar para objekteve komunale në veriun e vendit. Kjo duke vazhduar kundërshtimin e tyre lidhur me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë.

Kërkesat e tyre vazhdojnë të jenë të njëjtat: tërheqja e Policisë së Kosovës nga veriu, largimi i kryetarëve shqiptarë, dhe së fundmi edhe lirimi i serbëve të arrestuar për dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Edhe mëngjesin e sotëm, situata ka qenë e qetë para objekteve komunale. Në Zveçan serbët kanë improvizuar kinse po nënshkruajnë për hyrjen e tyre në punë.

Dje pikërisht në Zveçan ishte hapur një flamur i madh i Serbisë, dhe kishte zotime se protestat do të jenë të qeta.

No description available.
Por, ka pasur disa raste të sulmeve ndaj veturave të Policisë dhe gjithashtu sulme fizike nga serbë të bandave kriminale që kanë qenë të maskuar.

Liderët e Listës Serbe gjatë gjithë kohës dje kanë qenë në komunikim me KFOR-in. Këta të fundit gjatë një bisede ua kanë përmendur Goran Rakiqit e Igor Simiqit dhunën e tmerrshme të bandave ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, vazhdon të jetë i bllokuar në komunë për natën e tretë me radhë.

Gjithë kjo situatë pritet të diskutohet sot edhe në Moldavi, atje ku po qëndron presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kancelari gjerman, Scholz e presidenti francez Macron, kanë paralajmëruar një takim me Osmanin. Dje edhe kryeministri Kurti pati takime me Borrellin e Lajçakun në Bratislavë.

Kurti është zotuar se pa u larguar bandat kriminale në veri, nuk do të tërhiqet Policia e Kosovës.

Për pasojë, Shtetet e Bashkuara të Amerikë për shkak të mos-koordinimit, kanë nisur sanksionet e para duke e përjashtuar Kosovën nga “Defender 2023”.

No description available.
Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur italiane “La Repubblica”. Në intrvistën e publikuar sot, komandanti i KFOR-it ka folur rreth zhvillimeve në veri të Kosovës, posaçërisht në Zveçan, ku mbetën të lënduar/plagosur 25 ushtarë të KFOR-it, 11 prej të cilëve ishin italianë.

Sipas Ristuccia, në Zveçan ka pasur njerëz të cilët e kanë pasur qëllim “nxitjen e turmës” së banorëve serbë, të cilët po protestonin para objektit komunal në këtë komunë në veri të Kosovës.

Madje, komandanti Ristuccia ka dhënë një deklaratë të fortë, duke shkruar se nëse nuk do të ndërhyhej në veri, atëherë do të kishte viktima.

“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët perëndimorë, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht në dritën e progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin. Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse sot nuk jemi këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë etnikë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë.” – theksoi komandanti i KFOR-it, transmeton Nacionale.

Publikime te ngjashme