Hakmarrja e ushtrisë së princit të kartelit meksikan!

3 minutes, 54 seconds Read

Të paktën 29 persona janë vrarë në një betejë midis forcave të sigurisë së Meksikës dhe ushtrisë private të një karteli droge në shtetin verior të SinaloaS, pas arrestimit të një prej njerëzve më të kërkuar të vendit.

Ndërsa zbardhi agimi ditën e premte, u dëgjuan të shtëna sporadike dhe një shtëllungë e madhe tymi u var mbi qytetin veriperëndimor të Culiacán, ku ishtin përqendruar aktet e dhunës. Qyteti mbeti nën izolim ndërsa popullsisë së tij prej një milion banorësh iu kërkua të mos dilnin nga shtëpitë në asnjë rrethanë. Besnikët e kartelit vendosën blloqe rrugësh duke djegur kamionë dhe makina, duke e bërë pjesën më të madhe të qytetit të pakalueshme.

Përplasja filloi të enjten, kur forcat e gardës kombëtare dhe të ushtrisë ndalën një kolonë mjetesh të blinduar në periferinë malore të Jesus María. Kur kërkuan të kontrollonin pasagjerët, ata u përballën me një breshëri armësh.

Brenda një makine ishte Ovidio Guzmán López, drejtues i një dege të kartelit Sinaloas dhe djali i kreut famëkeq të kartelit të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán. Pas një shkëmbimi të zgjatur të zjarrit me armë të rënda, ai u kap.

Lajmi për arrestimin e tij mobilizoi personat e armatosur të kartelit në të gjithë qytetin në një përpjekje të koordinuar për të parandaluar largimin e udhëheqësit të tyre nga bastioni i tij. Ata u përballën nga ushtria dhe garda kombëtare me mbështetje ajrore nga të paktën dy helikopterë ushtarakë.

Në kaosin që pasoi, dhjetë anëtarë të forcave të sigurisë u vranë dhe të paktën 19 të dyshuar për krime. Autoritetet e qytetit thonë se 250 automjete u dogjën nga karteli, në përpjekjen për të bllokuar të gjitha rrugët e largimit.

Persona të armatosur rrethuan aeroportin e Culiacán, me plumba që goditën një aeroplan të Aeroméxico i cili po përgatitej për ngritje për një fluturim në Mexico City. Objektivi i të shtënave dukej se ishte një aeroplan ushtarak aty pranë. Videot në mediat sociale tregojnë pasagjerë të tmerruar që kërkojnë vend për fshehje. “Siguria juaj do të jetë gjithmonë prioriteti ynë kryesor,” shkroi linja ajrore më vonë, duke thënë se të gjitha fluturimet nga rajoni ishin anuluar.

Ndërsa ra nata, plaçkitjet shpërthyen në Culiacán, ndërsa disa grabitës u arrestuan jo nga policia, por nga karteli, një tregues se kush menaxhon zakonisht sigurinë në qytet.

Ovidio Guzmán López, 32 vjeç, i njohur gjithashtu si “Miu”, dyshohet se drejtonte një divizion të kartelit Sinaloas, të cilin babai i tij e themeloi në fund të viteve 1980 dhe u shndërrua në një nga organizatat më të mëdha në botë të trafikut të drogës, pjesërisht duke vrarë ose duke kooptuar shumicën e rivalëve të tij. “El Chapo”, ose “Shorty”, Guzman u arratis dy herë nga burgjet meksikane, por në vitin 2016 u arrestua përsëri dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku po vuan një dënim të përjetshëm për vrasje dhe vepra të tjera.

Është hera e dytë që djali i tij kapet në Culiacán, ku dihet se ka të paktën tre shtëpi. Në vitin 2019, ai u arrestua nga ushtria, por u lirua shpejt kur anëtarët e kartelit sulmuan rrugët dhe kërcënuan se do të vrisnin familjet e çdo ushtari. Liria e tij ishte bërë e sikletshme për qeverinë e presidentit të majtë López Obrador, i cili u zgjodh në vitin 2018 pasi kritikoi ashpër politikën e luftës kundër krimit të paraardhësit të tij konservator. López Obrador premtoi – duke u përqeshur nga ana e kundërshtarëve të tij – se do ta trajtonte problemin me “përqafime, jo me plumba”.

Shkalla e përgjithshme e vrasjeve që atëherë ka arritur një rekord. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që çonin në arrestimin ose dënimin e Ovidio Guzman.

Javën e ardhshme ka një samit të Amerikës së Veriut në Mexico City, në të cilin Presidenti Biden pritet të fokusohet në sigurinë. Gazeta El Universal i referohej atij takimi dje, me një faqe që tregonte dhunën brutale në Culiacán dhe mbi të, titullin në anglisht: “Welcome to Mexico, Presidente Biden”. / times – bota.al

Publikime te ngjashme