Ja pse Perëndimi nuk duhet të ketë frikë nga kolapsi i Rusisë

6 minutes, 15 seconds Read

Në gushtin e vitit 1991, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George H.W Bush, po zhvillonte në vizitë në Kiev për t’i këshilluar ukrainasit të mos shpallnin pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Pra vetëm disa javë përpara se Ukraina ta hidhte këtë hap dhe vetëm disa muaj përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Bush ishte i shqetësuar për rënien e autoritetit të BRSS.

Këtyre shqetësimeve i bënë jehonë në atë kohë edhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, përfshirë kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ata kishin frikë se pa kontrollin e vazhdueshëm të Moskës mbi perandorinë e saj, e ardhmja e vendit do të karakterizohej nga nacionalizmi, konfliktet etnike, dhe armët bërthamore do të binin në duar të papërgjegjshme.

Por me gjithë arritjet e tyre në menaxhimin e fundit të Luftës së Ftohtë, ata udhëheqës ishin në anën e gabuar të historisë në raport me çështjen themelore të vetëvendosjes për popujt e robëruar nga Moska. Fatmirësisht, Ukraina dhe republikat e tjera ish-sovjetike që tani janë të pavarura nuk i dëgjuan këshillat e tyre.

Sot, ne jemi dëshmitarë të një frike të ngjashme që ndihet në kryeqytetet e vendeve perëndimore. Ndërsa regjimi i presidentit rus Vladimir Putin po shkon drejt rënies për shkak të luftës katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, kolapsi i regjimit rus, madje edhe shpërbërja e mundshme e Rusisë si shtet, është bërë shqetësimi kryesor në kancelaritë perëndimore.

Mbështetja për luftën nga qytetarët rusë ka rënë, janë shtuar kritikat e brendshme, pavarësisht represionit të ashpër nga Kremlini, dhe qindra mijëra burra janë larguar nga vendi që kur Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm në fund të muajit shtator.

Ndërkohë Perëndimi është sërish në mëdyshje se cila është mënyra e duhur për t’i menaxhuar këto tensione, dhe rrezikon të bëjë të njëjtin gabim si në vitin 1991. Disa udhëheqës perëndimorë e kanë shfaqur hapur frikën e tyre nga një fitore e Ukrainës në luftën e vazhdueshme kundër Rusisë.

Ndaj në vend se të shprehen qartë për fitoren e Ukrainës, ata po fokusohen në pengimin e suksesit që synon të arrijë Putin. Kështu maksimumi që mund të thotë kancelari gjerman OlafScholz është se Putin “nuk mund të fitojë”. Ndërkohë presidenti francez Emmanuel Macron, që nuk ka humbur asnjëherë rastin për të biseduar me Putinin, ka deklaruar se çdo lloj fund i luftës gjenocidale të Kremlinit nuk duhet ta “poshtërojë liderin rus”.

Për këtë arsye, nën sipërfaqen e unitetit të jashtëzakonshëm transatlantik që e kundërshton luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ekziston ende një hendek midis shqetësimeve të fqinjëve të afërt të Rusisë dhe vendeve më në Perëndim. Uashingtoni, Berlini dhe Parisi janë më të shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit dhe skenarin që një Putin i vënë me shpatulla pas murit të përdorë armë bërthamore.

Në këtë kuadër, ata i kanë mohuar Ukrainës armët sulmuese që i duhen për të fituar luftën. Për shembull, Shtetet e Bashkuara vendosën t’i ofrojnë Ukrainës sistemet e avancuara të raketave por ua modifikuan rrezen e veprimit, që ukrainasit të mos sulmonin bazat ushtarake në territorin rus.

Edhe Gjermania, me gjithë presionin nga Ukraina dhe disa aleatë të NATO-s, ka refuzuar vazhdimisht ta furnizojë Kievin me tanket Leopard, që do të ishin shumë të dobishëm për Ukrainën për të çliruar territoret e pushtuara. Nga ana tjetër shtetet baltike dhe Polonia nuk i frikësohen ndonjë përshkallëzimi real apo imagjinar sesa një fitoreje të Rusisë.

Prandaj, ato i kanë dërgua Kievit ndihmën ushtarake maksimale, duke ua kaluar shumë vendeve të tjera në raport me madhësinë e ekonomive të tyre. Është ironik fakti që evropiano-perëndimorët kanë më shumë frikë nga përshkallëzimi sesa vendet më afër Rusisë, edhe pse këto të fundit do të prekeshin drejtpërdrejt nga çdo përshkallëzim i luftës.

Sepse përtej fluksit të refugjatëve, lufta ka mbërritur tashmë në tokën e tyre. Kur gjatë njërit prej sulmeve të shumta të Rusisë kundër infrastrukturës civile në Ukrainë, një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase ra aksidentalisht në territorin polak duke vrarë 2 persona më 15 nëntor, polakët e panë incidentin si një provë se Ukraina ka nevojë për më shumë dhe jo më pak ndihmë ushtarake nga Perëndimi.

Në rast se Rusia do të përdorte armë bërthamore ose më shumë gjasa, do të sulmonte një central bërthamor të Ukrainës, pasojat bërthamore do të mbërrinin fillimisht në vendet fqinje. Po ashtu këto të fundit do të përballeshin me barrën më të madhe të çdo vale të re të refugjatëve ukrainas.

Të qenit objekt i politikave perandorake të Rusisë nga vitet 1700 deri në ditët e sotme, i ka mësuar vendet baltike dhe Poloninë të kenë frikë më shumë nga fuqia sesa nga dobësia e Rusisë, dhe po ashtu t’i druhen më shumë fitores së mundshme e Rusisë në Ukrainë sesa disfatës së saj.

Kjo nuk do të thotë se shqetësimet në lidhje me armët bërthamore të Rusisë nuk duhet të merren seriozisht. Menaxhimi i këtij kërcënimit kërkon një përzierje të maturisë dhe vendosmërisë nga Perëndimi. Por pikërisht për shkak të maturisë së tepruar të Perëndimit, Rusia ka arritur të manipulojë me zgjuarsi frikën e një Apokalipsi bërthamor për të ruajtur kufizimet e vetë-imponuara të Perëndimit për dërgimin në Ukrainë të armëve më të rënda dhe me rreze më të gjatë.

Fatmirësisht, Perëndimi po e ri-dimensionon strategjinë e dikurshme të parandalimit, përfshirë mesazhet e qarta drejtuar Rusisë për pasojat shkatërruese që do të pësonte nëse do të përdorte armët e saj bërthamore. Është në interesin e stabilitetit global që Kremlini të mos ketë sukses në përdorimin e shantazhit bërthamor për të arritur një fitore në Ukrainë.

Për më tepër, përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia mbart një rrezik të madh për Putinindhe për këtë arsye është një skenar gati i pamundur. Moska nuk ka gjasa të heqë dorë së shpejti nga planet e saj imperialiste ndaj vendeve fqinje, dhe çdo vështrim mbi historinë e perandorive tregon se vetëm një disfatë e qartë mund të imponojë një ndryshim në të menduarit.

Guximi dhe vendosmëria e ukrainasve për të mbrojtur pavarësinë e tyre, është një shans historik për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për t’i dhënë një goditje vendimtare imperializmit rus dhe nacionalizmit toksik. Por deri më tani, fuqitë e mëdha perëndimore hezitojnë të investohen masivisht për këtë rezultat./bota.al

Marrë me shkurtime nga Foreign Policy

Përktheu: Kristi Raik

Publikime te ngjashme