Gjici në burg, gruaja e video skandalit në arrest shtëpie| Për çfarë akuzohet ish-kryebashkiaku i Kukësit

3 minutes, 15 seconds Read

Telashet për ish-kryetarin e Bashkisë Kukës, Safet Gjici, nuk kanë të sosur, pasi në orët e pasdites së 24 qershorit, ai u arrestua me urdhër nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

E gjitha, pas një video skandali të publikuar, ku Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie me një grua, në zyrën e tij pranë Bashkisë.

Kjo gjë çoi edhe në dorëheqjen e menjëhershme të Gjicit nga posti i sapo-fituar në zgjedhjet e 14 majit.

Përtej Gjicit gjithsesi, në arrest shtëpie do të lihet edhe gruaja e videos, e identifikuar si Alma K., pasi është e përfshirë në akuzën e Gjicit për “Korrupsion pasiv”.Sipas SPAK, janë sekuestruar pamjet e filmuara nga shtetasja Alma K. dhe materiale të tjera janë mbledhur lidhur me këtë çështje.

Mbi të gjitha, video ku Gjici abuzon me detyrën dhe ushtron veprën penale të korrupsionit pasiv, për të cilën mund të dënohet me 7 vjet burg.

Hetimi për Gjicin

Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.

Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.

Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.

Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.

Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.

Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.

Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “WhatsApp”, shkruan AP.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Publikime te ngjashme