Një dokumenti i Arkivit të Malit të Zi i zbuluar përmban raportin e Gjykatës në lidhje me ngjarjen tragjike të djegies së Arkivit të Ulqinit. Në fokus të këtij zbulimi ndodhet dëshmia e Ilija Vukmanoviqit, i cili ka rrëfyer momente kritike në kohën e ngjarjes, duke treguar se një ndihmës i Ministrisë së Punëve të Brendshme malazeze kishte marrë një direktivë për të nxjerrë të gjitha materialet konfidenciale
Një dokument i vjetër i Arkivit të Republikës së Malit të Zi i përgatitur nga stafi profesional i këtij institucioni tregon më shumë rreth ngjarjes së vitit 1946, kur arkivat [dokumentacionet] e Komunës së Ulqinit ishin djegur.
Dokumentin në fjalë i cili sqaron shumë gjëra, lexuesi shqiptar mund ta lexoj falë iniciativës së studiuesit shqiptar, Bejtullah Destani.
Arkivi [dokumentacioni] i Ulqinit u shkatërrua nga zjarri në vitin 1946 në objektin e vjetër të Komunës së Ulqinit. Dokumenti i zbuluar dhe i dërguar ekskluzivisht për Portalin Dukagjini paraqet një raport të Gjykatës në lidhje me këtë ngjarje, që ka rëndësi historike për të kuptuar më shumë se çfarë ka ndodhur në atë kohë.
Sipas dokumentit të shkruar, procedurat e hetimit filluan me një vendim të gjykatës, ku u vendos që gjyqi do të zhvillohej dhe vendimi do të merrej nga një gjyqtar i vetëm. Pas një analize të thelluar të provave, gjyqtari kishte rrëzuar padinë, duke anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, më datë 5 prill të vitit 1996.
Më interesante është dëshmia e dëshmitarit Ilija Vukmanoviq, i cili para gjykatës ka treguar se ishte punonjës në Departamentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Malit të Zi dhe ishte ngarkuar të bënte kontrollin e arkivave të djegura të Komunës së Ulqinit.
Për të parë dhe lexuar dokumentin e plotë të Arkivit të Republikës së Malit të Zi nga Gjykata për ngjarjen e djegies së arkivave të Ulqinit në vitin 1946, ju lutem klikoni këtu: Shkatërrimi i Arkivit të Ulqinit.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Vukmanoviq rrëfen një moment kritik, ku një ndihmës i Ministrisë së Punëve të Brendshme i kishte treguar se kishte marrë një direktivë për të nxjerrë të gjitha materialet konfidenciale.
Në këtë dëshmi, Vukmanoviq thotë: “Njëri nga ndihmësit e Ministrit të Punëve të Brendshme të Vrbicës më kërkoi të bëja kontrollin e arkivave të Komunës së Ulqinit, sepse po merrte raportime nga qytetarët se kishte pasur djegie të regjistrave të tokës dhe regjistrave të vjetër. Ai më tregoi se kishte marrë një direktivë për të nxjerrë të gjitha materialet konfidenciale”.
Ai ka rrëfyer se pasi kishte përfunduar punën, kishte shkuar në vendin ku ndodhej komuna e Ulqinit dhe zbuloi se librat dhe regjistrat e tokës ishin djegur dhe shkatërruar.
Vukmanoviq kishte shprehur dyshime rreth shkatërrimit të të gjitha librave dhe dokumenteve, duke thënë se shënime të tilla të rëndësishme për historinë e komunës dhe pronësitë mund të ishin ruajtur nga punonjësit e tjerë të shtetit të asaj kohe.
Sipas dokumentit, ai ka theksuar se këto libra ishin bërë në letër të posaçme, të lidhur dhe në një kopertinë, dhe një pjesë e tyre mund të kishin qëndruar pa u djegur.
“Prandaj nuk mund të pretendoj se të gjithë librat janë djegur. Librat ishin bërë në letër të posaçme, të lidhur dhe në një kopertinë”, kishte deklaruar ai.
Ai nuk jep informacion për ndonjë person apo persona të dyshuar që mund të kishin dhënë urdhër për djegien e arkivave.
Kujtojmë se, Bejtullah Destani shumë dokumente që kanë të bëjnë me shqiptarinë dhe me historinë tonë kombëtare i ka nxjerr nga arkivat e pluhurosura të Evropës duke i bërë publike për të sqaruar ato rrethana historike.
Së fundmi nga këto dokumente Portali Dukagjini ka botuar një letër të panjohur, dërguar BBC-së në vitin 1956, e cila flet për Kosovën.
Po ashtu, në revistën e zbuluar “THE ATHENAEUM” të vitit 1876 dalin detaje interesante për shqiptarët në Perandorinë Osmane, derisa po ashtu, një dokument i rëndësishëm mbi gjenealogjinë e familjes së Skënderbeut është zbuluar nga ai në Akademinë Spanjolle./dukagjini.com