A kishte Thaçi kontroll në krejt UÇK-në? Ja çfarë shkruante New York Times në gushtin e vitit 1999

4 minutes, 14 seconds Read

Nisja e gjykimit në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kthyer diskutimet se kush ka luftuar më shumë, kush ka pasur më shumë përgjegjësi, kush ka qenë në front e kush jo.

Krejt kjo si rezultat i një prezantimi që bëri avokati i Thaçit në Hagë. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës nuk ka pasur kontroll mbi komandantët e zonave, dhe për këtë paraqiti një video të Rrustem Mustafës që kërcënonte se do ta rrëzonin aeroplanin e përfaqësuesve në Rambuje nëse e nënshkruajnë marrëveshjen.

Pikërisht për rolin e Thaçit dhe kontrollin apo jo të tij në UÇK, kishte raportuar edhe prestigjiozja amerikane New York Times në gushtin e vitit 1999.

Ky artikull fliste për marrëveshjen e çmilitarizimit të UÇK-së pasi trupat e NATO-s zyrtarisht e kishin dëbuar Serbinë nga Kosova.

Në artikull, New York Times citonte disa zyrtarë të fuqishëm të OKB-së të cilët thoshin se fuqia e Thaçit në krejt ushtrinë e Kosovës nuk ishte aq e madhe.

“Por, këta zyrtarë e pranojnë se z.Thaçi nuk e kontrollon tërë ushtrinë kosovare. Dhe sigurisht këtë nuk e pranon shefi i shtabit të UÇK-së, z.Çeku i cili po përpiqet ta ruajë statusin e ushtrisë së tij si ent ushtarak, pavarësisht këmbënguljes se ushtria duhet të çmilitarizohet deri më 19 shtator”, thuhet në këtë artikull.

Aty komentoheshin edhe raportet e ngushta të administratës Klinton me ish-presidentin Thaçi. Citohej edhe administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner.

“Zoti Kouchner preferon të besojë në mirëbesimin e z. Thaçi. ‘Unë besoj fuqishëm se vetë Thaçi është pro një demokracie shumëpartiake, multietnike, por se disa në UÇK nuk janë”, shkruhej në raportimin e New York Times.

Deklaratat e mbrojtjes së Thaçit shkaktuan mjaft shumë reagime në Kosovë, duke e cilësuar se “Thaçi nuk paska qenë në front të luftës”.

Çfarë thanë avokatët?

Kur Hashim Thaçi kishte shkuar në Rambuje, ishte në mes dy dilemash: për ta nënshkruar ose jo marrëveshjen e Rambujesë. Avokati i Thaçit ka prezantuar disa video-incizime, deklarata nëpër libra e dokumente, që tregojnë sipas tij, se ish-presidenti i Kosovës frikësohej ta nënshkruante marrëveshjen.

Kjo për shkak se nuk kishte fuqi aq të madhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që një vendim të tillë të merrte pa u konsultuar me komandantët e zonave. Me këtë, mbrojtja tentoi të prezantojë para trupit gjykues faktin se fuqia e Thaçit nuk ishte aq e madhe në Shtabin e Përgjithshëm sa pretendon Prokuroria.

Për këtë qëllim, avokati i Thaçit publikoi një intervistë të padëgjuar të komandantit të zonës së Llapit, Rrustem Mustafa. “Më kujtohet që i kemi kërcënuar nëse i nënshkruani. U kemi thënë se kemi raketahedhës dhe në momentin e parë do ta rrëzojmë aeroplanin tuaj”, dëgjohet teksa thotë Mustafa.

Për këtë qëllim është paraqitur edhe një fragment i librit të ambasadorit Christopher Hill. Pasi ky i fundit e kishte pyetur pse nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen ai kishte thënë: “Ka gjasë që më vrasin kur të kthehem”, raporton Nacionale.

Avokati i Thaçit paraqiti edhe një deklaratë të presidentit amerikan, Joe Biden, kur ishte senator. “Unë e di që ti nuk ke aq fuqi në UÇK”, i kishte thënë Biden Thaçit.

“Z.Thaçi ishte përzgjedhur udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Nuk kishte kontroll atëherë mbi UÇK-në. Hashim Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë pa pëlqimin e komandantëve të zonave. Ata kishin aq pushtet sa shkarkuan komandantin Azem Syla, edhe Azem Syla ndodhej në Rambuje. Pa i marrë mendim Thaçit apo Azem Sylës, apo askujt tjetër, Azem Syla u shkarkua si komandant dhe u zëvendësua nga Sylejman Selimi. Kjo na çon kah struktura komanduese që paska pushtet efektiv, komandues dhe kontrollues në të gjitha qendrat e ndalimit që përshkroi ZPS-ja dje”, tha avokati Keohe.

Ai konfirmoi deklaratën e Thaçit se ka pasur krime që mund të jenë kryer nga individë të ndryshëm, por asnjëherë si strukturë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Thaçi nuk e mohon se disa krime janë kryer nga disa indidivdë gjatë dhe pas luftës. E ka informuar Këshillin e Sigurisë me këtë fakt. Por e rrëzon pretendimin se janë kryer si pjesë e një politike të udhëhequr nga UÇK-ja. Nga vjen kjo dhunë: dhuna ishte rezultat i veprimeve të pakontrolluara dhe jo produkt i një Ndërmarrje të përbashkët. Kishte hakmarrje”, deklaroi Gregory Keohe.

Seancat ndaj krerëve të UÇK-së do të vazhdojnë të hënën.

Publikime te ngjashme