Vëllëzërit e vrarë në Gjakovë ishin arrestuar para 3 muajsh, kërcënuan familjën e vrasësit: “Ja e marrim tokën, ja kanë me t’marrë plumbat”

1 minute, 57 seconds Read

Vrasja e dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, të dielën mbrëma, shënoi tragjedinë e radhës si pasojë e pronës. Dy vëllezërit, Blerim dhe Haxhi Islamaj, u qëlluan me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj dhe për pasojë mbetën të vdekur.

Këtij rasti tragjik dyshohet se i ka paraprirë një konflikt pronësor që daton qysh kohë më parë mes dy palëve, raporton Gazeta Sinjali.

Hiç më larg se para tre muajsh, të ndjerët vëllezërit Islamaj, kishin përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin për kërcënimin e Gjonit, familjarit të dorasit Gjergj Gjokaj.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Rrypaj të Gjakovës, më 21 mars të këtij viti, fiks para 3 muaj e ca ditësh.

Dy vëllezërit Islamaj dyshohej se e kishin kanosur seriozisht 45-vjeçarin Gjon Gjokaj, fë cilit ia kanë bllokuar rrugën me ekskavator, duke mos e lënë që të kalojë.

Sinjali pati raportuar për këtë rast që ishte denoncuar në Polici nga Gjoni, i cili i kishte njoftuar organet e rendit se të dyshuarit të cilët janë nga e njëjta familje, e kanë kërcënuar se ose do e marrin ata tokën, ose do e marrin plumbat atë.

Vëllezërit Islamaj e kishin kërcënuar Gjokajn se ajo tokë s’do i duhet askujt, nëse nuk e marrin ata.

Kanosja ndaj Gjon Gjokajt iu kishte kushtuar me arrestim dhe ndalim dy vëllezërve Islamaj, të cilët u vranë mbrëmë në Madanaj.

Ishte vet Gjon Gjokaj ai që e konfirmoi mbrëmë për Sinjalin se ka pasur probleme me dy vëllezërit Islamaj.

Përmes linjës direkte, ai e pohoi se në të kaluarën kishte kontekst pronësor, mirëpo thotë se nuk ka lidhje me vrasjen e tyre.

“Jo, s’kemi lidhje me rastin se unë jam në Zvicër. Une kom pasë kontekst pronësor me ta. Qysh e mora une lajmin, ata rojat…personat e përfshirë aty ma kanë përmend emrin. Unë jom në Zvicër, s’muj me të thonë kurgjo. Nuk kom lidhje me këtë vrasje”, u shpreh Gjokaj për Sinjalin.

Publikime te ngjashme