Një shfaqje e jashtëzakonshme me temë aktuale për shqiptarët

11 minutes, 22 seconds Read

Autor: Dr. Vebi Bexheti, profesor dhe studiues i letërsisë

(Recension për shfaqjen “Një ëndërr evropiane” të regjisores Blerta Neziraj)

Teatri i Tetovës, si vatra më e rëndësishme kulturore e qytetit, që ende nuk e ka fatin që aktivitetet t’i zhvillojë në shtëpinë e vet, nuk e ndal veprimtarinë, me gjithë pengesat objektive që mund t’i ketë, në mungesë objektit të vet. Gjithsesi Qendra Kulturore e qytetit me kapacitetet hapësinore që ka, si për shumë ngjarje tjera kulturore, vazhdon të jetë edhe në shërbim të këtij teatri, që tanimë pas veti ka lënë një veprimtari të gjerë teatrore.

Në skenën e këtij teatri që nga themelimi e deri më tani, kanë kaluar shumë aktorë, regjisorë e dramaturgë, të vendit, të hapësirave tjera shqiptare dhe të huaj, që me sukses kanë realizuar projekte me tema nga më të ndryshmet e dramaturgjisë botërore e shqiptare. Vënia në skenë e shumë nga kryeveprat e njohura botërore nga kuadro të këtij institucioni relativisht të ri, është një përvojë e madhe për aktorët tetovarë dhe jo vetem, që me punën e tyre në kushte modeste, dëshmuan se edhe një teatër i vogël mund të realizojë vepra të mëdha.

Ndër projektet e suksesshmetë këtij institucioni ishte edhe ai i mbrëmjes së 22 qërshorit, me dramën tragjiko- komike “Ëndrra evropiane (Peer Gynti nga Ballkani)”, të autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt. Me këtë vepër, autori në mënyrë retrospektive dhe me përkushtim i paraqiti ngjarjet kronologjike, antishqiptare që peshuan rëndë mbi kurrizin e tyre, që në kohën e Jugosllavisë, madje me pasoja deri në ditët e sotme, kur shumë shqiptarë, të gjithë shtrirjes gjeografike, në mungesë të kushteve për mbijetesë, e ëndërronin Evropën, të bindur se atje do e gjejnë parajsën e vërtetë dhe se do jetojnë gjithmonë të lumtur, madje me pak punë e shumë para. Autori i kësaj vepre dramatike, duke e njohur mirë realitetin e jetës së vështirë të shqiptarëve, mentalitetin dhe bindjen e tyre se atje është parajsa e vërtetë, në vepër i sjell me preokupimin se si t’ua mësynë shteteve evropjane, duke kaluar shpesh edhe ilegalisht nëpër shumë kufij, për të mbërritur në perëndimin e ëndërruar.

Këto lëvizje të shqiptarëve drejt “parajsës”, autori i paraqet përmes fazash të ndryshme dhe specifikash, që sillte koha bashkë me dhunën e pushteteve ndaj shqiptarëve, madje që në kohën e e helmimeve të shkollarëve të mesëm, që ndodhën në Kosovë e Maqedoni. Me shtimin e dhunës në Kosovë, kur demokracia e shumëpritur erdhi bashkë me dhunën serbe dhe suprimimin e autonomisë, rritej vazhdimisht edhe ikja nga Kosova dhe zbrazja e tokave shqiptare nga pjesa më e ndjeshme e banorëve të saj, që kulmin e arrijti pas luftës, tanimë, jo si azilkërkues nga dhuna e pushtetit, por si të rinj, që atje e shihnin ardhmërinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Autori Neziri përmes këtij teksti që pasqyron realitetin kosovar të periudhave të caktuara nē kushte robërie, që karakterizohet me ekzodin e madh drejt Evropës, e paraqiti edhe fatin e gjithë shqiptarëve, mbase synimi drejt Evropës ishte i përbashkët. Pikërisht këtu edhe qëndron rëndësia e e veprës, sepse ajo u shkrua për të gjitha skenat teatrore shqiptare, me mesazhin e qartë se nuk është Evropa, vendi parajsë, duke i theksuar edhe anët negative të shumë vendeve evropiane ku një pjesë të rinisë shqiptare pa dokumente dhe leje pune, marrin rrugët e krimit të organizuar, përmes veprimtarive antiligjore, duke i njollosur edhe shqiptarët tjerë, që me djersë, nder e dinjitet fitojnë për ta mbajtur familjen dhe shkolluar fëmijët.

Këto procese të ikjes së madhe të pjesës më vitale të kombit drejt vendeve evropjane, dramarurgu nuk i paraqet ndaras nga skenat trishtuese të demonstratave dhe qëndresës së rinisë shqiptare për mosnënshtrim. Skena hapet me atmosferë të zymtë, plot tym lotsjellës për shpërndarjen e demonstrantëve, që bashkë me qepën si mjet kundër këtij gazi, e karaktetizojnë qasjen e re dramatike. Autori me një koncept tjetërfare krijues, duke mos dashur që të mbetet vetëm një kronikan i përshkrimit të ngjarjeve, erdhi me një profil tjeterfare krijues. Fenomeni i demonstratave, dhe i asaj çka po ndodhte në ato kohëra të pa kohë, si rezultat i të cilave e kishte zanafillën largimi nga vatrat shekullore, pa ndonjë garancë se atje do e fitojnë të drejën e azilit, me kē rast merr edhe ngjyrim të elementit tragjiko-komik, që veprën ia përshtat qasjes alternative të paraqitjes skenike me elementë tjerë krijues.

Një karakteristikë tjetër e kësaj vepre skenike është edhe largimi nga disa norma të ngurta të zhvillimit të ngjarjes përmes personazhëve, prototipa të një karakteri. Me këtë rast, personazhi luan më shumë se një rol, madje ai shpeshherë komunikon edhe me publikun për rrjedhat e asaj se çka do dodh. Kjo ngarkesë e një numri të kufizuar të personazheve, që me lojën e tyre herë ishin udhëtarë me valixhe në pritje të aeroplanit, pasqyrë kjo e zakonshme e shqiptarëve të kohës së sotme, herë subjekte, bartës të ngjarjeve në vende evropjane, personazhe në kërkim nga autoritete shtetërore për vepra të ndryshme penale në vendet ku vepronin, e herë- herë edhe në rolin e autoriteteve shtetërore për azilantë.

Kjo dramë e kombit, që çon në drejtim të zbrazjes së atdheve të tyre, madje me përmasën që dhemb më së shumti kur dita-ditës po largohen edhe një pjesë e madhe e ekspertëve, të rinj të shkolluar, në dramën e autorit Jeton Neziri vjen edhe me prurje të reja e me tone të theksuara të tragjedisë dhe komedisë njëkohësisht, që shfaqjen e bējnë më atraktive për shikuesit, e sidomos dialoget mes personazhëve, pa përjashtuar edhe raportet mes anëtarëve të familjes, siç janë ata mes prindërve të brengosur për fatin e djalit në burgjet e shteteve ku ishin strehuar, apo edhe lidhjen e personazhit kryesor me bashkëjetuesen, të motivuar nga dashuria prindërote meqë ato kishin edhe një djalë. Nga skenat e zyrtarëve të disa shteteve perëndimore, ku diskutohet para vendimeve si përgjigje e azilkërkuesve, përveç demaskimit të individëve manipulantë që marrin përgjigje negative, goditen edhe padrejtësitë e autoriteteve të disa shteteve, që shpeshherë nuk e besojnë edhe të vërtetën, e kohës, siç ishte edhe rasti i helmimit të nxënësve shqiptarë. Edhe pse teksti dramatik i Jeton Nezirajt, pas titullit “Ëndrra evropiane”në kllapa e mban edhe titullin “Peer Gynti nga Ballkani”, porosia u drejtohet shqiptarëve, që sipas numrit të banorëve janë popullata më e madhe, në rajon që ua msynë rrugëve klandestime dhe jo vetëm, drejt perëndimit të dëshiruar aq shumë, ëndërr kjo e parealizuar, që solli vetëm ankth vuajtje e mallë për familjen e atdheun ashtu siç ishte.

Ashtu si teksti i autorit Neziraj, që erdhi me plot risi, edhe regjisorja Blerta Neziraj, e re për nga mosha por me prirje risimtare, duke i bishtëruar tradicionales, këtë tekst e vu në skenë në mënyrë të jashtëzakonshme, madje edhe me ndërhyrje, që kjo shfaqje t’i përgjigjet kohës, vendit ku shfaqet dhe gjithsesi edhe shijes së shikuesve. Ajo që ishte ndryshe nga e zakonshmja, ishte ndërrimi i vendeve të shikuesve me aktorët. Ky vendim i regjisores, qër mua ishte i guximshëm dhe shumë i qëlluar, jo thjeshtë për t’u duk ndryshe, por për qëllime praktike, sepse me gjithë numrin jo edhe të madh të aktorëve, fushëveprimi i tyre kërkonte hapësirë më të madhe, që do mundësonin mënyrën e lojës pa kufizime, siç ishin: demonstratat me tym lotsjellës, aeroporti, pritja në rend e qytetarëve për fluturim, rrugët, veturat, zyrat për çështjen e azilit, vendet për telefonatae e të ngjashme. Me zhvendosjen e skenës së zakonshme me dërrasat, simbolit të lojës teatrore, regjisorja dëshmoi se ka ardhur koha që tradicionalja duhet t’ua lëshojë vendin eksperimenteve alternative me laramani, e freski, që tanimë po zbatohet në shumë teatro.Kjo qasje regjisoriale e realizuar nga Blerta dhe ndihmsi i saj, regjisori i ri me plot ambicje, Gent Memeti-Çajani, janë vlerë e shtuar e projektit në fjalë.

Me këtë zhvendosje të skenës në sallën e publikut për arsye praktike që u përmendën më lartë, skenografi Mentor Berisha nuk ka pasur ndonjë paraqitje skenike të zakonshme, por gjithsesi ndonjë ndërhyrje në bashkëveprim me regjisoren.

Loja artistike e aktorëve, që në këtë rast ishte e dyfisht, ishte gjithashtu risi në realizim, përveç atij të kryepersonazhit Peer Gynti i Ballkanit, që njëherit ēshtë edhe titull alternativ i tekstit. Aktori Arlind Selimi, bartësi i rrjedhës së ngjarjes kryesore e realizoi me sukses rolin e Peerit, djaloshit me plot ambicje për ëndrrën evropiane, që përveç vuajtjes nuk i solli asnjë të mirë. Ai me lojën e vet jo edhe të zakonshme, meqë lëvizja e tij bëhej duke shkelur mbi karriget, që simbolizonin rrugëtimin e pafund, i magjepsi shikuesit. Dialogu i tij me nënën, babain, me të dashurën, me Bacin dhe të tjerët, ishte në qendër të vëmendjes.

Një tjetër personazh, ai i zyrtarit dhe plakës gjermane, i realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme nga aktori me përvojë jo edhe të vogël, Burhan Amiti, ishte gjithashtu në qendrën e lojës skenike. Ai përmes dy roleve, atij të zyrtarit për çështje azili dhe plakës gjermane, si viktimë e veprimeve antiligjore të shkaktuara nga Peeri ballkanik, përveç vlerave inerpretuese, nuk i munguan edhe ato vetanake që dalin me tërë origjinalitetin, e përtej angazhimit, obligues nga teksti e regjisorja, si: humori, varianti dialektor i të shprehurit, etj. Ky aktor, që me kohë e kishte ndëtuar portretin e vet artistik, me zërin karakteristik, dhe humorin e lehtë shkëlqeu edhe në rolin e zyrtarit

Jetmir Arifi në rolin e babait të Peerit dhe të zyrtarit njëkohësisht, u paraqit me tërë vetitë dhe brengën e një prindi për fëmijēn e vet. Edhe roli tjetër i tij, zyrtari për azilkërkuesit, u paraqit me tërë karakteristikat e një administratori, që pas refuzimit të kërkesës për azil, ashtu si me keqardhje dhe në mënyre serioze, e lexon vendimin e refuzimit.

Linda Shabani, e luajti gjithashtu me sukses rolin e Belës, dashnores së kryepersonazhit, Peeri, një gruaje të lirë dhe pa komplekse ballkanike. Edhe ajo si gjithë të tjerët në rolin e dytë, ate te zyrtarit, doli mjaftë e realizuar, edhe pse jo lehtë për t’i përballuar veprimet e dy karaktereve.

Një aktore tjetër, anëtare e këtij ansambli teatror, ishte Merita Limani, që ia doli me sukses ta realizojë rolin e ndjeshëm të nënës me tërë brengosjen e saj për djalin, që shumē herët ia kishte msy Evropës “parajsore”,këtij ferri të vërtetë, që me aq lehtësi i gëlltiste të rinjtë shqiptarë, që aty u gjendën pa ndonjë pëvojë jetësore dhe me shpresë se shumë lehtë do e gjejnë lumturinë.

Me rolin e Bacit, këtij personazhi, të dalë më herët në diasporë që luan instruktorin për veprime kundërligjore të të rinjve, nē mesin e të cilëve edhe të Geer-it, kjo pjesë dramatike vjen me cilësi të reja, me plot humor e shprehje dialektore, që mund t’i përdor varësisht vendit ku jepet shfaqja. Edhe roli i tij si zytar, si gjithë aktorët tjerë eshtë realizim i suksesshëm dhe angazhim shtesë për ta kompletuar këtë projekt skenik.

Në rolet e administratorëve të shteteve ku kërkohet azili, bashkë me përgjigjen negative dhe gjoja keqardhjen për kandidatët, nuk mungoi as edhe humori, madje edhe me elemente satirike, që godasin këtë turmë të rinjsh, në pritje të përgjigjes nëse do e fitojnë jo statusin e azilantit.

Kjo premierë e realizuar me aq sukses, para një numri të kufizuar, meqë shfaqjen e ndoqën nga hapësira skenike, gjithsesi nuk do ishte kompletuar pa koreografin Gjergj Prevazin, kompozitorin Tomor Kuçin, kostumografin Bllagoj Micrvskin dhe mjeshtrin e ndriçimit, Mursel Bekteshin.

Ps. Me këtë rast falënderoj Drejtorin e Teatrit të Tetovës, Bekim Ismailin për ftesën që të jem pjesë e publikut të kësaj premiere, aktorin Burhan Amitin dhe ndihmësregjisorin Gent Memetin- Çajani, për disa të dhëna për ta kompletuar këtë shkrim, kushtuar premierës së shfaqjes “Ëndrra evropiane” (Peer Gynti nga Ballkani).

Publikime te ngjashme