“Ukraina do ta testojë dhe përdorë secilën armë që s’është e ndaluar për ta rimarrë Krimenë”

1 minute, 23 seconds Read

Ukraina do ta testojë dhe përdorë secilën armë që nuk është e ndaluar për ta çliruar territorin e vet, përfshirë Krimenë e pushtuar nga rusët, tha të premten sekretari i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Oleksiy Danilov.

Komentet e zyrtarit të lartë ukrainas erdhën përderisa Ukraina po përgatitet për të filluar një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm me qëllim të rimarrjes së territoreve që kontrollohen nga rusët në jug dhe lindje të vendit, raporton agjencia “Reuters”.

“Krimea është territor i Ukrainës dhe ne do të testojmë dhe do të përdorim çfarëdo arme që nuk është e ndaluar me ligje ndërkombëtare, e cila do të ndihmojë për t’i çliruar territoret tona”- shkroi Danilovi në rrjete sociale.

Partnerët perëndimorë të Kievit kanë ofruar përkrahje jetike ushtarake, përfshirë tanket dhe automjetet e blinduara, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar.

Megjithatë, ato nuk kanë ofruar armë më të rënda, si aeroplanët luftarakë F-16, të cilët i ka kërkuar Ukraina.

Ukraina ka zhvilluar edhe armë të vetat, si dronët dhe raketa “Neptun”, për të cilën ka thënë se e ka përdorur për të fundosur një anije të rëndësishme të Rusisë vitin e kaluar.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm që të përdorë “absolutisht çfarëdo arme”, nëse Ukraina synon që ta rimarrë Krimenë.

Publikime te ngjashme