Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vendi nuk munë të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se zgjedhjet janë shtyrë njëherë me rekomandim të ndërkombëtarëve, por një gjë e tillë s’do të ndodhë sërish, pasi që sipas tij, kanë marrë garanci për këtë.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit … Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që ne të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë”, ka theksuar Konjufca, duke shtuar se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për Asociacionin.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas tij e ka treguar vullnetin e mirë të Kosovës për të ecur përpara dhe qëndrimin destruktiv të Serbisë dhe të presidentit të saj Aleksandar Vuçiq.
“Serbia po mendon që kjo marrëveshje e ka vetëm një kapitull, e ka vetëm Asociacionin, unë mendoj se Asociacioni është kapitulli i fundit i kësaj marrëveshjeje, dhe kështu është në të vërtetë, aty nuk ka as referencë eksplicite të Asociacionit, është vetëm neni 10 ku thuhet që duhet zbatuar marrëveshjet e kaluara, ato që janë të ligjshme”, është shprehur Konjufca.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane është shprehur i bindur se zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna, do të përfundojnë suksesshëm.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të vendit, si dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, të cilat ishin shpallur të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, janë shtyrë me vendimin e presidentes Vjosa Osmani, pas kërkesave të partnerëve perëndimorë.
Ato pritet të mbahen më 23 prill.
Zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore u shpallën pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri, të gjithë nga Lista Serbe, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.