Faturat e larta, Kurti: S’ka shtrenjtim të rrymës, adresat për ankesa janë KESCO dhe ZRrE

2 minutes, 15 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përurimin e fillimit të punimeve për rregullim të rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës ka folur edhe për ankesat e qytetarëve lidhur me shtrenjtimin e rrymës, gjë që sipas kreut të ekzekutivit një gjë e tillë nuk qëndron, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri kosovar tha para gazetarëve se adresat e vetme për ankesa janë KESCO dhe ZRrE.

“Nëse ka fatura të fryera, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”.

Kreu i Qeverisë tha se nëse ka konsum të lartë është normale që edhe fatura vjen më e lartë, derisa përmendi edhe subvencionimet e bëra ndaj qytetarëve.

“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”.

“Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i keni shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRrE është adresa”, u shpreh Kurti.

Derisa gjatë ditës së djeshme nga KESCO kanë reaguar sërish duke thënë se vetëm 14 për qind e konsumatorëve kanë fatura 100 euro ose më tepër.

Në njoftimin e bërë, KESCO tha se në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë kanë bërë, në Kosovë konsumatorët ngrohen me energji elektrike, dhe kjo ngrohje ua merr mbi 70% të konsumit.

“400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët. 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€. Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër. 📊 Edhe ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje. Ngrohja është shpenzues i madh i energjisë elektrike dhe në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë i kanë bërë, në Kosovë konsumatorët që ngrohen me energji elektrike, ngrohja ua merr mbi 70% të konsumit”, thuhej në njoftimin e bërë nga KESCO.

Publikime te ngjashme