Të gjitha vendimet që mori qeveria në mbledhjen e sotme

6 minutes, 15 seconds Read

Duke e filluar me një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka:

– Ndarë 50 mijë euro mbështetje për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

– Miratuar projektligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili synon rregullimin e procedurave për administrimin e tatimeve në territorin e Republikës së Kosovës.

– Themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me këtë përbërje:

1. Z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues;

2. Znj. Donika Gërvalla – Schwarz, Zëvendëskryeministre e dytë, dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare;

3. Z. Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve;

4. Z. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes, anëtar;

5. Znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, anëtare;

6. Z. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme;

7. Z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

8. Z. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar.

9. Në Këshill do të dërgojnë nga një përfaqësues:

10. Zyra e Presidentit;

11. Kuvendi i Kosovës;

12. Komuna e Prishtinës;

13. Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së;

14. Organizatat e Shoqërisë Civile.

– Propozuar Kuvendit të Republikës tre anëtarë vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

– Ndarë 5 milionë euro për zbatimin e masës mbështetëse për konsumatorë familjarë, në veçanti për konsumatorë në nevojë, në investimin e pajisjeve elektro-shtëpiake efiçiente, duke përfshirë: rrobalarëse, enëlarëse dhe frigorifer.

– Ndarë 6 milionë euro shtesë për Projektin “Ndërtimi i rrugës Prishtinë – Podujevë.

– Miratuar Planin e Dritares së Vetme Kombëtare për Kosovën. Koncepti i Dritares së Vetme konsiderohet si një nga instrumentet më ambicioze për lehtësimin e tregtisë, duke mundësuar digjitalizimin e shërbimeve. Sistemi do të mundësojë komunikim të plotë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, duke reduktuar koston dhe kohën për subjektet prodhuese dhe tregtare në Republikën e Kosovës

– Ndarë 1,101,970.68 Euro për kompensimin e Dëmeve natyrore në bujqësi në komunat Deçan, Gjakovë, Graçanicë, Junik, Kamenicë, Malishevë, Prishtinë, Vushtrri, Gjilan, Lipjan, Novobërdë, Skenderaj, Rahovec dhe Podujevë. Mjetet e ndara financiare do të përdoren për kompensimin e dëmeve për 386 fermerët të 14 komunave sipas Raportit plotësues të Komisionit për shqyrtimin e ankesave për demet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi për vitin 2022, në shumën e dëmeve prej 82% për secilin fermer.

– Aprovuar vendimin për rindërtimin dhe renovimin shtëpive individuale për familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë gjatë periudhës kohore 1998-1999. Bazuar në situatën e gjendjes faktike të familjeve në Veriun e Republikës se Kosovës, dhe sipas Raportit të Komisionit Vlerësues të Komunës së Mitrovicës mbi dëmet e shkaktuara të luftës gjatë viteve 1998/99, është marrë vendimin për vazhdimin e projektit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë asaj periudhe kohore.

– Miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Kompleksit Sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” në Pejë. Ky vendim do t’i hap rrugë ndërtimit të Kompleksit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë. Një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së zotimeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Komunës së Dragashit për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme të ish ndërmarrjes shoqërore N. Sh O.B ”Sharrprodhimi” parcela kadastrale Nr. 1048-3 dhe Objektin që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, për realizimin e Projektit: “Ndërtimi i Zonës së Gjelbër-Parkut Publik për nevoja të Komunitetit”.

– Aprovuar nismën për “Amendamentimin Nr. 4. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2014”. Qëllimi i amendamentimit të kësaj marrëveshje është për zgjatje të afatit për 2 vite. Më konkretisht për projektin e ndërtimit të objektit të komunës së Gjakovës.

– Aprovuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës dhe KfW, Frankfurt Am Main për Projektin “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II-IV (Kontributi i BE-së)”. Kjo nismë synon menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit dhe kontrollin e deponimit të mbeturinave. Gjithashtu, ky projekt është në linjë me standardet më të larta evropiane, në kontribut të mbrojtjes së burimeve natyrore.

– Aprovuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Komunës së Prishtinës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin “Korniza e Qyteteve të Gjelbra 2. Dritarja 2. – Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prishtinë. Ky projekt, ngjashëm me fazën e parë të projektit, synon zbatimin e masave të energjisë në objekte komunale në kryeqytet.

– Miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projekteve për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, konservimin dhe investimin për: Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, Komuna e Klinës. Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut, me një potencial të jashtëzakonshëm të zbulimeve historike paraqet një nga asetet e trashëgimisë sonë kulturore, ku kemi ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen dhe promovimin e tij, përmes: mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ky projekt është përzgjedhur mes 28 projekteve përfituese nga Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, ku gjatë ditës së djeshme Ministri i Kulturës Çeku së bashku me Ambasadorin e ShBA-së, z. Jeffrey Hovenier kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëfinancimit.

– Plotësuar dhe ndryshuar vendimit për klasifikimin e vendeve të punës në administratën publike i cili do të mundësojë zgjatjen e afatit për kryerjen e këtij procesi nga institucionet publike në Republikën e Kosovës.

– Shkarkuar dhe emëruar Bordin e Përkohshëm në ndërmarrjen “Trepça”. Bordi i ri i Përkohshëm ka këtë përbërje:

1. Rrezarta Pllana, kryesuese;

2. Alban Krasniqi, anëtar;

3. Merita Beqiri – Gashi, anëtare;

4. Dragisha Krstoviq – anëtar.

-Ndarë 1.3 milionë euro me qëllim të renovimit të klinikave të QKUK-së në shërbim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Publikime te ngjashme