Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao ishte në Shtetet e Bashkuara këtë javë, për takime me Sekretaren amerikane të Tregtisë, Gina Raimondo dhe Përfaqësuesen për Çështjet Tregtare, Katherine Tai.
Siç njofton korrespondentja e VOA-s, Patsy Widakuswara, takimet u mbajtën disa ditë pasi Presidenti Joe Biden sinjalizoi për një përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe të rënduara nga problemet e tregtisë dhe të sigurisë, si dhe nga rrëzimi nga avionët amerikanë në muajin shkurt të një balone përgjimi kineze që përshkonte territorin e Shteteve të Bashkuara.
Një sinjal i qartë u dha nga Presidenti Joe Biden për marrëdhënien SHBA – Kinë.
“Një balonë që kishte pajisje përgjimi sa për të mbushur dy vagonë treni fluturonte mbi Shtetet e Bashkuara; balonën e rrëzuam dhe gjithçka ndryshoi për sa i përket dialogut me njëri-tjetrin”, tha Biden.
Biden iu referua kështu balonës përgjuese kineze që fluturoi mbi territorin amerikan në shkurt. Incidenti shkaktoi indinjatë tek të dyja palët politike në Shtetet e Bashkuara dhe anulmin e vizitës së Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Pekin.
“Është shkelje e sovranitetit tonë. Është shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha sekretari Blinken.
Por, në një takim në Vjenë më herët këtë muaj me zyrtarin e lartë kinez për politikën e jashtme Wang Yi, këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara synojnë ta lënë pas këtë incident.
Pas kësaj, u shënuan kontakte të nivelit të lartë, përfshirë një takim të enjten mes Sekretares së Tregtisë Gina Raimondo dhe homologut kinez, Wang Wentao.
Wang u takua të premten edhe me Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara për Tregtinë, Katherine Tai.
“Mendoj se mbajtja hapur e këtyre kanaleve të komunikimit, është pjesë thelbësore e strategjisë tonë me Kinën, që tashmë është kombinim i një balance delikate mes konkurencës dhe bashkëpunimit”, thotë Yun Sun, nga Qendra “Stimson”.
Një faktor që i nxit të dyja palët për të përmirësuar marrëdhëniet është takimi i udhëheqësve të APEC-ut, (Forumit Ekonomik të Azi-Paqësorit) që Shtetet e Bashkuara do të organizojnë në nëntor në San Françisko.
“Për Xi Jinpingun, që e konsideron veten, apo Kinën, ndër themeluesit e APEC-ut, ai dëshiron vërtet që të jetë në atë takim. Dhe prania aty e presidentit kinez, pa praninë e Putinit, do të jetë një arritje e madhe për administratën Biden”, thotë Dennis Wilder, nga Universiteti Georgetown.
Nëse Xi do të marrë pjesë në takimin e APEC-ut, atëherë do të krijohet mundësia për një takim të veçantë me Presidentin Biden. Ky do të ishte takimi i tyre i dytë, që nga takimi në kuadrin e G20-tës në Bali, nëntorin e kaluar.