Teksa Izraeli ka hedhur poshtë një sërë rezolutash të Kombeve të Bashkuara (OKB) që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shtetin modern të Palestinës, ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Liberman, solli një ide të re për të fshirë plotësisht shtetin palestinez nga harta botërore, duke sugjeruar që Egjipti të kontrollojë Rripin e Gazës dhe Jordania të kontrollojnë pjesë të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.
Në një intervistë me Jerusalem Post, Liberman, kreu i Partisë opozitare Yisrael Beytenu, tha se mundësia e një zgjidhjeje me dy shtete është zhdukur.
“Ne e kuptojmë se kjo ide e një zgjidhjeje me dy shtete për ka vdekur. Nuk ekziston”, tha ish-ministri izraelit i Mbrojtjes.
“Në të ardhmen, Egjipti duhet të kontrollojë Gazën dhe Jordania duhet të marrë përgjegjësinë për zonën A të Bregut Perëndimor dhe një pjesë të vogël të zonës B”, sugjeroi ai.
Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Bregu Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tre zona: Zona A, B dhe C, me zonën C plotësisht nën kontrollin e ushtrisë izraelite.
Liberman argumentoi se nevojitet një qasje e re për këtë çështje.
“Ne kemi nevojë për një qasje tjetër”, tha Liberman, duke shtuar se është e palogjikshme “të bëjmë të njëjtën gjë për shumë vite dhe të presim rezultate të ndryshme”.
“E gjithë zona A dhe një pjesë e vogël e zonës B” duhet të jenë nën kontrollin jordanez përmes një konfederate, ndërsa Izraeli duhet të zbatojë sovranitetin në pjesën e mbetur të zonës B dhe të gjithë zonën C, shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se “në fund të fundit, egjiptianët duhet të marrin kontrollin e Rripit të Gazës si mandat i OKB-së dhe Ligës Arabe”.
Nga viti 1967 deri në vitin 1989, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi 131 rezoluta që adresonin drejtpërdrejt konfliktin arabo-izraelit, shumë prej të cilave kishin të bënin me palestinezët. Nga viti 2012, janë miratuar edhe disa rezoluta që adresojnë shtetin modern të Palestinës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një konferencë për media më 18 janar se ai ishte kundër krijimit të një shteti palestinez në çfarëdo mënyre pas sulmeve të 7 tetorit.
Izraeli ka vrarë më shumë se 27 mijë njerëz në Rripin e Gazës në përgjigje të ofensivës ndërkufitare të Hamasit të 7 tetorit, në të cilën u vranë 1.200 njerëz.
Sulmi ushtarak ka shkaktuar shpërngulje dhe shkatërrim masiv, si dhe ka krijuar kushte uri dhe mungesë të kujdesit shëndetësor.