Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se reagimi ndaj gjuhës seksiste dhe diskriminuese kundër nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku, ishte unanim. Ajo ka theksuar se këtë akt e dënuan prerë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, sikurse edhe deputetja Fatmire Kollçaku.
“Megjithatë, lind pyetja se si është e mundur që mungoi çfarëdo reagimi nga deputetet e PDK-së, në momentin kur deputeti Eman Rrahmani e etiketoi Arbërie Nagavcin nga foltorja e Kuvendit si ‘ministre të edukatës seksuale’?”, ka pyetur Fejza përmes një reagimi.
Sipas saj, aplikimi i standardeve të dyfishta në raste të tilla, përveç që është i papranueshëm, dëshmon se kauza për barazi gjinore shpesh po përdoret thjesht si një instrument për qëllime politike./lajmishqip.net
