Si do të duket dhe zhvillohet e gjithë procedura gjyqësore ndaj Donald Trumpit?

1 minute, 35 seconds Read

Donald Trump do të bëhet zyrtarisht ish-presidenti i parë i SHBA-së që do të përballet sot me akuza penale, kur ai të dalë në gjyq në Nju Jork.

Procedura duhet të jetë e shpejtë dhe rutinore, por përfaqëson një moment surreal dhe historik në historinë e SHBA-së, shkruan CNN.

Trump është planifikuar të mbërrijë në gjykatën në qendër të Manhatanit pasdite, kurse arrestimi i tij do të procedohet nga Prokuroria e Qarkut dhe do të dërgohet në gjykatë. Aty do t’i lexohen akuzat ndaj tij.

Mediat nuk do të jenë në gjendje ta transmetojnë gjyqin drejtpërdrejt, tha një gjykatës të hënën mbrëma, duke mohuar një kërkesë nga disa organizata mediatike, përfshirë CNN.

Megjithatë, pesë fotografë do të lejohen të bëjnë fotografi të Trump dhe sallës së gjyqit përpara se të fillojë seanca.

Në seancën e sotme, aktakuza do t’i paraqitet për herë të parë publikut dhe ekipit ligjor të Trump, i cili do të dëgjojë detajet e para për akuzat konkrete me të cilat do të përballet ish-presidenti.

Hetimi buroi nga një pagesë sekrete për porno yllin Stormy Daniels gjatë fushatës presidenciale të 2016.

Sipas CNN, Trump do të ndiqet gjatë gjithë ditës nga shërbimi sekret. Arrestimi i tij do të procedohet në Prokurorinë e Qarkut ku do t’i merren gjurmët e gishtave. Është ende e paqartë nëse Trump do të fotografohet gjatë arrestimit zyrtar, pasi ka shqetësime se mund të “rrjedhë”.

Trump do të dërgohet përmes korridoreve të pasme dhe ashensorëve në gjykatë, e cila ndodhet në të njëjtën ndërtesë me zyrën e prokurorit të qarkut. Ai do të kalojë përmes korridorit publik drejt sallës së gjyqit ku do të paraqitet para gjykatës./Telegrafi

Publikime te ngjashme