Serwer: Asociacioni me kompetencat ekzekutive, krijon “Republika Srpska” brenda Kosovës

1 minute, 23 seconds Read

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një shkrim të publikuar në ‘Peacefare’, sërish ka folur për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, dhe Asociacionin.

Serwer thotë se SHBA-ja është duke shtyrë përpara formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, nëse Asociacioni formohet me kompetencat ekzekutive siç kërkon Beogradi, atëherë do të krijohet një tjetër “Republika Srpska” de fakto, brenda Kosovës.

Ai shton se “Republika Srpska” e Bosnjës tani po përgatitet të refuzojë autoritetin e gjykatave të Sarajevës, duke theksuar se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Kosovë.

Serwer, konsideron se SHBA-ja po i mbështet edhe nismat tjera të Beogradit, siç është Ballkani i Hapur i cili synon heqjen e barrierave kufitare ndërmjet Serbisë dhe popullatës serbe në vendet fqinje.

E gjithë kjo u bë e qartë thotë Server pas mesazhit të sotëm të Departamentit të Shtetit për Ditën Kombëtare të Serbisë, ku flet për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit për krijim të pozicioneve ndërlidhëse me diplomatë serbë brenda departamentit amerikan.

“Oficerë të tillë ndërlidhës mësojnë shumë rreth funksioneve të brendshme të diplomacisë amerikane. Edhe nëse caktohen në role larg Byrosë Evropiane, sinjali që po dërgon Uashingtoni është i qartë: Ne favorizojmë perspektivën e Serbisë në dialog. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë lëvizje të këndshme është që të njëjtën gjë t’ia ofrojë Kosovës brenda dy ditësh, kur është përvjetori i Pavarësisë së Kosovës”, thekson ai.

Publikime te ngjashme