Kurti nga Gjermania thotë se NATO, është pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës

1 minute, 32 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Aleanca Veri Atlantike (NATO) ishte jetike për Kosovën gjatë vitit 1999.

Në një shkrim në Twitter, Kurti tha se edhe pas 24 viteve, NATO-ja ka rol jetik në ruajtjen e sigurisë për Kosovën.

Këtë kreu i Qeverisë e tha pas takimit me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta NATO-s në Napol.

“Nga ndalimi i gjenocidit në ’99 deri tek mbështetja e sigurisë së Kosovës, NATO është një pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë”, ka shkruar Kurti.

Kurti i cili është pjesmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, gjatë ditës së djeshme, ka takuar përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, sipas kryeministrisë, u diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian dhe “për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.

Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol gjithashtu në Mynih të Gjermanisë në takimin mes Kurtit dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Pos tyre, Kurti pati takime edhe me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, si dhe zëvendëskryeministrin e Italisë, Antionio Tajani, i cili është dhe ministër i Punëve të Jashtme./Telegrafi

Publikime te ngjashme