Rasti ‘Brezovica’: Gjykata liron 75 vilat e sekuestruara, shkak gabimi i prokurorit Maloku

1 minute, 34 seconds Read

Gjykata Themelore në Pejë ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, për caktimin e masës së sigurisë për 75 vilat e sekuestruara në Brezovicë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila ka bërë me dije se Gjykata ka urdhëruar lirimin e vilave të sekuestruara.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka hedhur si të paafatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Njëkohësisht është urdhëruar që të njëjtat të lirohen”, tha Zhuti.

Kujtojmë se objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, u patën sekuestruar në kuadër të aksionit ‘Brezovica’.

Sekuestrimi i rreth i tyre u bë me urdhër të Prokurorisë pas raporteve që konstatuan se këto objekte janë ndërtuar kundërligjshëm.

Por një pjesë e madhe e këtyre vilave janë ndërtuar pikërisht pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në vitin 2019 kur kanë nisur hetimet kanë qenë vetëm 23 objekte në zonën e dytë, por mbi 50 vila u ndërtuan gjatë procesit të hetimit, para syve të Prokurorisë.

Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Brezovica vlerësohet se është një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Publikime te ngjashme