Raportuesja për Kosovë në PE: Me planin evropian Serbia e njeh Kosovën, por s’e thotë me zë

2 minutes, 4 seconds Read

Raportuesja për Kosovë në Parlamenti Evropian, Viola von Cramon, gjatë seancës ku është diskutuar për Kosovën, ka thënë se qenësore për Kosovën është dialogu me Serbinë.

Ajo ka thënë gjithashtu se dialogu mes dy vendeve është kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë e dimë se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pranimi në Union nuk do të ndodhë për asnjërën nga vendet. Do të doja të shihja përfundim të suksesshëm në dialog, ku të gjitha çështjet e mbetura do të zgjidhen – ose të themi, pothuajse të gjitha, dhe më pas, shpresoj të zbatohen”, ka deklaruar von Cramon.

Raportuesja për Kosovën ka deklaruar se plani i ri franko-gjerman i BE-së në njëfarë mënyre e pranon faktin e pavarësisë së Kosovës.

“Me këtë, Serbia do t’ju njohë juve dhe gjithçka, por pa e thënë me zë të lartë se e ka bërë këtë. Dialogu ngre shumë çështje të ndjeshme dhe i kuptoj plotësisht se brengat tuaja për rezultatin mund të ndikojë në disa marrëveshje të mëhershme. Megjithatë, marrëveshjet tashmë të arritura duhet të respektohen dhe zbatohen ligjërisht. Kosova nuk duhet të lejojë të jetë pala që pengon nënshkrimin e marrëveshjeve”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të gjejnë mënyra për të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Ju lutem të jeni proaktiv dhe dilni me propozimet tuaja se si e shihni fundin. Natyrisht se ndryshimet duhet të bëhen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës dhe rendit të saj ligjor. Prapë, gjetja e një mënyre për të akomoduar do të çojë pashmangshëm në një hap të madh më afër përfundimit të dialogut dhe finalizimit të këtij procesi të gjatë. Më lejoni të jem shumë e qartë edhe një herë: ka bashkëpunim të plotë dhe sinkronizim transatlantik për dialogun”.

“Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë frymë të re mundësie me aleatët e saj për të shtyrë një zhvillim vendimtar të dialogut dhe Parlamenti Evropian është i gatshëm gjithmonë ta ndihmojë dhe ta monitorojë nga afër këtë në periudhën e ardhshme”, ka deklaruar eurodeputetja Viola von Cramon.

Publikime te ngjashme