Putin urdhëroi një armëpushim për Krishtlindjet, reagon Joe Biden

1 minute, 30 seconds Read

Presidenti amerikan, Joe Biden iu referua urdhrit të përkohshëm të armëpushimit të presidentit rus, Vladimir Putinit dhe shprehu skepticizëm për qëllimet e tija të vërteta.

Përkatësisht, lideri rus ka urdhëruar sot armëpushim në Ukrainë, i cili do të zgjasë një ditë e gjysmë (36 orë).

Armëpushimi, njoftoi Kremlini, u urdhërua nga Putini për të shënuar Krishtlindjet, të cilat të krishterët ortodoksë i festojnë të shtunën.

“Unë hezitoj të komentoj atë që po thotë Putin. Por kjo ishte interesante për mua. Më 25 dhjetor dhe në ditën e Vitit të Ri, ai nuk e kishte problem të bombardonte spitale, çerdhe dhe kisha. Unë mendoj se ai në të vërtetë dëshiron të merr pak oksigjen”, tha para gazetarëve Biden, raporton cnn.

Ndërkohë, Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë thirrjen e të parit të shtetit rus për armëpushim dhe tha se “Ukraina nuk sulmoi territorin e huaj, por Rusia”.

“Së pari: Ukraina nuk sulmoi territorin e huaj dhe nuk vret civilë. Këtë e bën Federata Ruse. Ukraina shkatërron vetëm anëtarët e ushtrisë okupuese në territorin e saj. Dhe së dyti: Rusia duhet të largohet nga territoret e pushtuara – vetëm atëherë do të ne kemi një ‘armëpushim të përkohshëm’. Mbani hipokrizinë për vetvete”, shkroi ai në Twitter.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme material. /Telegrafi

Publikime te ngjashme