Shala lë sharjet e i rikthehet argumenteve, thotë se Asociacioni “do ta tjetërsojë Kosovën”

1 minute, 38 seconds Read

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, ka folur në foltoren e Kuvendit të Kosovës për Marrëveshjen e Ohrit.

Shala, që sot ishte kryepersonazh i ditës për sharjen që i bëri kryeministrit Kurti, kësaj radhe u tregua i përmbajtur.

“Vetëmenaxhimin po e shpjegoni si term të sotëm, dhe nuk është i tillë. Është i kalorësisë dhe ka kuptimin e drejtimit dhe udhëheqjes. Siç tha kryeministri ky ishte teksti më i mirë i mundshëm në këtë situatë. Unë mund të them që ky ishte teksti më i keq i mundshëm. Autori i këtij teksti, që është edhe interpretues autentik, pra ndërmjetësi, interpreton si një marrëveshje në një kontekst krizash. Është kontekst emergjence, që mbyll krizat dhe krijon minimum normal në komunikimin mes dy vendeve. Por pretendimi është shumë më i madh sepse teksti lidhet me kërkesa tjera për Kosovën dhe disa për Serbinë, disa të reja disa të përsëritura”, tha Shala.

Shala tutje tha se Asociacioni do ta tjetërsojë komplet Kosovën, dhe kjo sipas tij do të vërehet në fund të procesit të krijimit.

“Do të krijohet një mekanizëm dhe pushtet që Kushtetuta nuk e lejon. Në thelb është kundërkushtetuese. Asociacioni s’ka qenë vetëm problem politik, por edhe kushtetues. Ne do të merremi me Kushtetutën. Ne flasim për integritet territorial dhe këto janë kategori të rëndësishme. Një strukturim i pushtetit pa asnjë të drejtë shtesë, shkatërron karakterin unitar të shtetit. Kur kjo marrëveshje të përmbushet, do të kuptojmë që në fund të kësaj nuk do të jetë kështu as përafërsisht shteti. Kur kemi përpara aktin e madh të negociatave për njohje me Serbinë që s’është afër, dhe do të negociojmë pa fund deri në atë ditë”, tha Shala në Kuvend. /Lajmi.net

Publikime te ngjashme