Në një paraqitje televizive në emisionin “Pressing” të T7, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka sqaruar pozicionin e subjektit të saj lidhur me mosvotimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Çitaku ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e këtij refuzimi qëndron në faktin se dokumenti ligjor i prezantuar nuk ka arritur të integrojë vërejtjet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas saj, versioni i miratuar në Qeveri dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend mbetet problematik në disa pika kyçe. Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet drejtpërdrejt me kompetencat për hartimin e legjislacionit sekondar, që sipas opozitës, lë vend për interpretime të gabuara.
Ajo ka cituar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili saktëson se ligji burimor duhet të specifikojë deri në detaje çdo aspekt që ndërlidhet me procesin e konfiskimit. Kjo çështje, sipas saj, nuk mund të mbetet në dorën e vullnetit të një individi apo drejtori.
“Nuk mund t’i lihet në diskrecion një drejtori të Byrosë që të shkruajë e të hartojë në mënyrë arbitrare aktet nënligjore”, ka potencuar Çitaku. Ajo përfundoi duke thënë se një ligj i cili shkel parimet kushtetuese dhe mundëson arbitraritetin, nuk guxon të bëhet pjesë e legjislacionit të vendit. /lajmishqip.net
