“Përpjekje për të ndalë rrëzimin e Presidentes”, Kushtetuesja e mohon të ketë ndërhyrë shefi i AKI-së

6 minutes, 9 seconds Read

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në një medium për një “tentim-shantazhi” ndaj gjykatësve të saj nga shefi i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë në mënyrë që të ndalet “rrëzimi i Presidentes”. Kushtetuesja thotë se është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj.

Kushtetuese përmes një reagimi publik, thotë se në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com, të dielën, më 16 prill 2023, me titull: “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues“. Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatën zyrtare të saj.

Mediumi Paparaci ka raportuar për një takim të ketë ndodhur mes kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani dhe shefit të Agjenicsë së Kosovës për Intelegjencë Petrit Ajeti.

Nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Gjykata Kushtetuese kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe duke e cilësuar si të pavërtetë artikullin.

Cili është roli i Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.

Roli dhe përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Më herët është raportuar se mandati i presidentes Osmani mund të jetë në rrezik nëse mandati i deputetit të Iniciativës Rome, Fadil Gashi, del të jetë jo-legjitim.

Lidhur me legjitimitetin e mandatit të deputetit Gashi, është parashtruar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese më 13 prill 2021. Ankesa është parashtruar nga disa përfaqësues të partive të komuniteteve rom e egjiptian.

Këta ankues i kanë thënë gjykatës se në qoftë se vërtetohet se deputeti aktual i Iniciativës Rome po e mban mandatin në mënyrë jo-kushtetuese, ai duhet të largohet nga Kuvendi.

Pse po lidhet kjo çështje me mandatin e presidentes Osmani?

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës më 4 prill të vitit 2021, me 71 vota për dhe me 82 deputetë të pranishëm në sallën plenare.

Votimi për presidenten është i fshehtë. Megjithatë, në seancën e Kuvendit kur ishte zgjedhur përfundimisht Vjosa Osmani kishte qenë i pranishëm edhe deputeti i Iniciativës Rome, Fadil Gashi.

Kjo çështje u tematizua në shumë media, shpesh duke u ndërlidhur edhe me vendimin e dhjetorit të vitit 2020 nga Gjykata Kushtetuese, e cila e rrëzoi Qeverinë e atëhershme të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Vendimi i Kushtetueses atëherë ishte bazuar në ankesën që kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kërkoi interpretim për votën e një deputeti nga radhët e pakicave, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.

Kjo votë e deputetit Ethem Arifi ishte ndër votat që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Pse po kontestohet mandati i deputetit?

Kuvendi i Kosovës ka 20 vende të garantuara për komunitetet joshumicë.

Ndër to, 10 janë të garantuara për komunitetin serb, tri për komunitetin boshnjak, dy për komunitetin turk dhe një për komunitetin goran.

Ndërkaq, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të garantuara nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota.

Më 14 shkurt 2021, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvend.

Sipas rezultateve fillestare të këtyre zgjedhjeve, partia e quajtur Iniciativa Rome, kishte fituar dy mandate të deputetëve në Kuvend (njëra për komunitetin rom, si dhe ulësja tjetër që është e garantuar për tri komunitetet varësisht nga votat).

Disa parti nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian më 5 mars 2021 bënë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), duke pretenduar se zgjedhjet ishin manipuluar pasi që partia Iniciativa Rome kishte marrë vota në s’përputhje me numrin e banorëve romë nëpër komuna.

Çfarë ndodhi pas ankesës?

Më 7 mars 2021, PZAP-ja mori një vendim për ankesën e partive duke e pranuar pjesërisht këtë ankesë.

Si rrjedhojë, partisë Iniciativa Rome iu anuluan votat në disa komuna, duke bërë që të humbasin mandatin e deputetit që ishte garantuar për tri komunitetet (rom, ashkali, egjiptian), varësisht nga votat.

Megjithatë, partive ankuese iu refuzua kërkesa që votat për Iniciativën Rome të anuloheshin edhe në disa komuna të tjera, përkatësisht në komunat Graçanicë, Kamenicë dhe Mitrovicë Veriore.

Sipas ankuesve, edhe në këto komuna pati mospërputhje të votave për partinë Iniciative Rome me numrin e banorëve romë në këto komuna.

Gjykata Supreme, që është shkalla më e lartë vendimmarrëse pas PZAP-së, refuzoi ankesat e partive në lidhje me vendimin e PZAP-së, duke e lënë në fuqi këtë vendim.

Kështu, në Kuvend nga viti 2021, Iniciativa Rome përfaqësohet vetëm nga deputeti Fadil Gashi.

Çfarë i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese?

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, disa përfaqësues të partive të komuniteteve rom e egjiptian, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, më 13 prill 2021.

Në këtë ankesë ata pretendojnë se ka pasur shkelje kushtetuese në rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe vendimeve, përmes së cilave nuk janë anuluar edhe votat në tri komunat e lartcekura.

Ata argumentojnë se vendet e garantuara për komunitetet pakicë në Kuvend duhet të derivojnë nga votat e po atij komuniteti. Përndryshe, llogaritet se këto komunitete pakicë nuk kanë përfaqësim adekuat në Kuvend, siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Këta ankues i kanë thënë Gjykatës se në qoftë se vërtetohet se deputeti aktual i Iniciativës Rome po e mban mandatin në mënyrë jokushtetuese, ai duhet të largohet nga Kuvendi.

Çfarë ndodh nëse ankesa aprovohet?

Anulimi i votave të mbetura për Iniciativën Rome do të thotë se kjo parti do të humbte edhe mandatin e vetëm që e ka në Kuvend.

Në ankesën që është dërguar në Kushtetuese shtjellohet se: Nëse deputeti aktual, Fadil Gashi, humb mandatin e tij, vendin e tij do ta zinte deputeti Erxhan Galushi, që aktualisht mban mandatin e garantuar për tri komunitetet (rom, ashkali, egjiptian) varësisht nga votat. Kështu, në ulësen e mbetur do të vinte një deputet tjetër nga radhët e tri komuniteteve, me më së shumti vota.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim në lidhje me ankesën në fjalë.

Publikime te ngjashme