Opozita “rikthen” 20 shkurtin, pas fjalimeve hidhet molotov drejt Kryeministrisë

1 minute, 55 seconds Read

Opozita shqiptare ka zhvilluar një protestë këtë të martë para godinës së Kryeministrisë, duke zgjedhur datën simbolike të 20 shkurtit, 33 vite pas rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Ata kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë socialiste, që sipas tyre është e zhytur në korrupsion.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, tha përmes një fjalimi me video se kjo protestë do të ndryshojë fatet e vendit. “Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltërta të Adriatikut. Menduan se do na asgjësonin. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument. Por gabuan! Sot pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Kurse vetëm katër ditë më parë, gjykata e Uashingtonit dënoi me 3 vjet burg McGonigalin, një lobist i korruptuar shpalljes time non-grata nga Edi Rama. E gjithë kjo luftë kundër nesh u bë që sot ne të ishim të përçarë, të ishim të shtrirë përtokë, që sot ne të mos ishim këtu.

Që Shqipëria sot të mos kishte opozitë. Por ne realizuam të pamundurën, ne realizuam atë që nuk e parashikonte asnjë njeri. Asnjë opozitë në planet nuk do ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj ndesh. Siç nuk ekziston opozitë në Rusi, Bjellorusi, Iran apo Uganda ku janë marrë masa të të njëjta si këto kundër nesh. Ndaj dhe ju vini sot në këtë shesh si heronj. Po, po. Si heronj të të vërtetës, heronj të guximit dhe dinjitetit njerëzor. heronj të pluralizmit, heronj të antikorrupsionit, heronj të atdhetarizmit. Ju vini si heronj të betejave të fituara”, tha Berisha.

Në tubim mungoi Ilir Meta, por ishin pjesëtarë të tjerë të Partisë së Lirisë. Gjithashtu ra në sy prania e Jorida Tabakut, e cila deri tani nuk ishte pozicionuar në asnjë prej grupimeve brenda PD-së. Ndërkohë që zhvillohej protesta, Kryeministri Rama ndodhej në Ankara, ku pas një takimi me Presidentin turk Erdogan, firmosi edhe disa marrëveshje.

Publikime te ngjashme