Një foto mes nesh…ca i hëngri toka, ca paraja!

5 minutes, 57 seconds Read

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive. Foton e gjeta mes shumë syresh, pa patur në mendje se po kërkoja një send ‘të caktuar’. Pastaj nisa të mendoj se është foto e vitit ’96 të shekullit të kaluar. Për dreq ka ndodhur që të jetë stinë kujtimesh, e kjo m’i bëri të neveritshme edhe fotot e ‘arkës’ sime, njësoj si kujtimet.

Më mundojnë pyetjet se ç’u bënë këta njerëz?, ku janë?, çfarë ligësish e çfarë zero- things bëjnë?…

Tani, thuajse askush prej tyre nuk është. Ata që nuk janë i mori bota që i solli… Ata që ‘janë’ i mori paraja. Këta paskemi qenë në historinë tonë, jo vetëm në vitin 1996 e këndej: Nga ata që dalin mbi krye të popullit, ca i mori paraja e ca dheu. Ata që i mori paraja (ose morën paratë e miletit), këta qëndruan më gjatë mes ‘popullit të dashur’; sot e kësaj dite u këndohet këngë ‘pasunikëve’dhe ‘xhahilëve’ që për pesë para vrasin ‘si trima’.

Nuk e di sa shumë para kanë këta në foto, por di se këta të gjallët janë të gjallë sepse i shërbyen parasë. Ndërsa të vdekurit kanë shkuar e nuk e di nëse pinjollëve u ka mbetur ndonjë kacidhe.

Jam krejt në vete kur mendoj se Teodor Keko që ndodhet në këtë foto, nuk la asgjë pas tij, ndoshta nja 500 euro që i kishte kursyer teksa shkonte e vinte në spitalin e Selanikut për kimioterapi.

Teodori, më i pakti që është, është shkrimtari; ai është modeli i njeriut të hapur. As Gramozi (Pashko), nuk e kishte mendjen te paratë; te një gotë whisky- natyrisht që po, haj deri edhe te një kompjuter. Kur po bëhej kjo Partia Demokratike që tani na del se ishte më shumë një monster për fatet e vendit, atëherë ai mendonte si Asdreni- si t’i bënte një himn Shqipërisë. E ktheu shtëpinë e tij në një ‘kishë’ ku faleshin e ushqeheshin të huaj e shqiptarë që mashtronin se ‘duam demokracinë e popullit’.

Sado i mençur që ishte, Gramozi e pësoi keq nga ‘naiviteti’; ai pranoi të hipte në atë helikopter të kurdisur nga kryeministri i ditës, që e kishte projektuar për ta zhdukur Gramin në det. Pranoi, sepse truri i tij ishte goditur për vdekje. Të tjerët janë këtu me radhë:

Edhe Perikli Teta nuk është më mes nesh. Madje ky është njeriu ynë që as sa Dor Keko nuk la pas; jam i sigurt se asnjë kacidhe. Ditën kur do të luftonte trup me trup kundër bandave kriminale të PD, në vitin 1998, atë ditë ai i tregoi gjithçka kishte në xhepa, në rrobe dhe në kurm. Domethënë- asgjë. “U lava, u pastrova, u vesha dhe u fala si një mysliman dhe si i krishterë i mirë për të shkuar në luftë e për të vdekur aty!’, deklaroi Perikliu, ndërsa ishte ministër i Brendshëm kur detyra e thërriste që të shpëtonte vendin nga bandat kriminale të PD.

Edhe Shahin Kadare ka shkuar vitin e kaluar. Ishte njeriu i mahnitshëm i llojit tonë të mirë. Një prej më të mençurve nga themeluesit e Partisë Demokratike. Kishte fatin ‘e keq’ që ishte vëllai i shkrimtarit Ismail Kadare; e prandaj pati fatin të luante rolin e ‘termometrit’ në organizatën e PD. Sa herë i vëllai, Ismaili, e ndjente dhe shprehte se ‘kjo PD nuk është demokraci’, aq herë lidershipi i PD e hidhte poshtë Shahinin; sa herë i duhej një fjalë e mirë nga Ismaili, atëherë lidershipi afronte Shahinin. Një herë, i tmerruar nga turmat që na rrethonin, më kthehet me sytë të zmadhuar e më thotë: ‘Ore Frrok, u mor vesh se ky popull do të votojë PD-në, po ne për cilin do të votojmë”. E dinte Shahini çfarë monstre ishte PD.

Këta të gjallët janë prapë këtu mes nesh, por ca janë e ca nuk janë, në fakt:
Nuk e harroj kurrë intervistën e Ridvan Peshkëpisë. Ai ka qenë student i Dhjetorit, deputet i PD, pinjoll i Peshkëpive anti- komunistë, poet; e tani është profesor në Universitete të Perëndimit, si dhe kontributor në filozofinë e Shoqërisë Post- Ideologjike… Të kthehem te intervista e Ridvanit: Gazetari televiziv e pyet: ‘Çfarë na thoni për atë periudhë, ju keni qenë … (kështu e ashtu)… në PD”. Si u përgjigj Ridvani?

“Nuk e mbaj mend”, tha.

Kush e ka nderin dhe mençurinë të ndahet prej asaj krijese që edhe sot e kësaj dite trazon ujërat dhe gjakrat; këta janë të pakët. Nuk është ndarë akoma, për shembull, Sandër Frangaj. Kur ka dalë në këtë foto, para tre vjetësh kishte dalë nga burgu, i kishte thënë vetes ‘larg Berishës’, por pastaj hyri prapë në vath. Ama nuk i ndahet këmba nga Berisha. Nuk mund të them se ‘nuk i ndahet shpirti’, sepse njerëzit e pasuruar ashtu nuk kanë shumë shpirt. Nikollë Lesi, si xheloz ndaj pasurimit të Sandrit, e thotë fshatçe se ‘i lumtë, qe i zgjuar, e ndoqi paranë’.

Edhe Neritani, veçse nuk është pasuruar aq shumë, por në radhë të parë e ke kurdoherë. Edhe në këto foto- në radhë të parë është. Veçse orientohet gabim, në të gjitha kohët- gabim; edhe pse një historian i njohur publikisht. Tani që Berishës i ka ardhur fundi e ‘po piqet në tenxhere’, ky shkon i rri pranë tenxheres së Berishës. A del gjë më nga ajo krijesë shkrumb e hi?, veç një zot e di.

Arben Imami, eksponenti i të gjitha qeverive, që nga Ismail Qemali dhe Qemal Ataturku e këndej, me siguri e di çfarë del. Ai tani është i përbetuar të jetë i lidhur me Sali Berishën; ndoshta jo thjesht për paratë e sotme, por për ato që ‘u kryen, bacë’. Ndoshta edhe pse ndodhet në të njëjtën ‘tenxhere gjyqësore’ me vjedhjet e të bijve të Berishës. Por kur nuk ishin këto lidhje, edhe Beni si të gjithë këta që ndodhen në foto, mori ‘fjalën e mori harkun, e mori tankun’ kundër Berishës.

Çudi e madhe është kjo puna e parasë dhe e dheut. Jo dheu mund të sundojë mbi paranë, por paraja i çon në dhè edhe shokët edhe vendin. Kjo është vija e ligjësive. Krijesa PD, e sidomos krijesa Berishë, provoi se mund të çojë në dhè vetë fatin e vendit. Çfarë situatë- monstre më shfaqet para syve edhe përmes këtyre fotove. Më vjen keq vetëm pse është stinë kujtimesh dhe boshllëku.

Shkroi: Frrok Çupi

Publikime te ngjashme