Lista e agjentëve të Serbisë, raportet Kosovë-SHBA dhe qëndrimi i Shqipërisë pas situatës në veri – analizë e diplomatit Çejku

5 minutes, 55 seconds Read

Diplomati i karrierës, ish- ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, Arben Çejku në një intervistë për Telegrafin ka folur për listën e agjentëve të Serbisë të infiltruar në Kosovë, raportet e Prishtinës me Washigtonin dhe qasjen e Shqipërisë karshi zhvillimeve të fundit në veri.

Çejku në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, tha se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë afër për t’i ndjekur të gjitha sukseset e Kosovës si dhe situatën e fundit të krijuar në veriun e saj.

Ai tha se Tirana situatën e fundit në Kosovë e sheh nga katër këndvështrime, si ndjenjë kombëtare, si vend fqinj, nga këndvështrimi rajonal e perëndimor si dhe në aspektin e situatës së sigurisë.

Sipas tij, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përfshira në një proces të integrimit të përbashkët dhe në këtë drejtim Shqipëria do që ta ketë Kosovën dhe të udhëtojë me Kosovën në të njëjtin hap siç është me Maqedoninë e Veriut..

“…Nga këndvështrimi i sigurisë, Shqipëria si një vend anëtarë në NATO sigurisht që ndanë shqetësimin e vet për sigurinë e Kosovës, të cilat natyrisht herë pas here kanë konotacione të një droje për destabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit dhe pse jo realizmin e disa agjendave të errëta të Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Çejku.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj nga faktori ndërkombëtarë që t’i bëj thirrje Serbisë që të tërhiqet nga veriu i vendit.

Gjatë intervistës ai potencoi se është e patolerueshme që në veri të futen banda kriminale nga Serbia, nën dirigjimin e shërbimeve sekrete të saj.

“Ka patur një thirrje të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtarë drejtuar qeverisë Kurti për të bërë hap mbrapa dhe të ndihmuar në stabilizimin e kësaj situate duke marr vendimin adekuate për katër kryetarët e komunave të veriut. Por, ka ende mangësi dhe duhet një formë më e theksuar e faktorit ndërkombëtarë për t’i kërkuar Serbisë heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të agjentëve të infiltruar në veriun e Kosovës siç është rasti i atij polici, i cili është nga Rudari.

Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë që duhet të marr dënimin e merituar pavarësisht ndonjë hapi të gabuar apo, të ndikuar të Qeverisë së Kosovës për të vendosur legjitimitetin në veri… Nga ana tjetër është e patolerueshme dhe e papranueshme banda kriminale e futur nga Serbia nën dirigjimin e shërbimeve sekrete të policisë së saj”, ka potencuar diplomati nga Shqipëria.

Sipas tij “nëse Qeveria e Kosovës ka një listë të këtyre personave të identifikuar si zyrtarë të sigurisë së Serbisë që kanë hyrë në territorin e Kosovës në veriun e saj dhe kanë bërë inkuzione duke sulmuar trupat e KFOR-it, duke sulmuar Policinë e Kosovës, qytetarë dhe gazetarë, mendoj që duhet ta bëj publike këtë listë dhe t’i kërkojë faktorit ndërkombëtarë që t’i thotë drejtpërdrejtë Serbisë që të tërhiqet dhe të ndalojë provokimet e saj në veri”, ka thënë Çejku.

Diplomati, njëherit ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku ka folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama lidhur me gjendjen në veri.

Çejku tha se për Shqipërinë porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Kosova, e më pas siç tha ai të jepen reagime për situatën në veri të Kosovës.

“Sa i përket reagimit të kryeministrit të Shqipërisë, Rama dhe reagimeve të tjera sigurisht që ato janë reagime publike dhe secili mund t’i kuptojë në mënyrën e vet, por ajo që mund të them sot është që ne duhet të jemi të gjithë realist kur marrim komentet tona për zhvillimet në veri dhe organet e shtetit shqiptarë duhet të jenë në një koordinim më të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, pastaj të kenë komentet e tyre në raport me Serbinë apo me faktorin ndërkombëtar. Pra, porta e parë e marrjes së informacionit duhet të jetë Qeveria e Kosovës, pasi çdo marrëdhënie e jona me Serbinë së pari kalon nga Prishtina”, ka vlerësuar Çejku.

Mirëpo, siç u shpreh diplomati shqiptar, kryeministri i Kosovës, Kurti ende nuk ka paraqitur një platformë konkrete se çfarë hapash do të ndërmarrë për të rregulluar situatën në veri të Kosovës.

“Nuk duhet të harrojmë një gjë se pavarësisht inkuzioneve të dënueshme dhe të paligjshme në veriun e Kosovës, është Kosova ajo që ka përgjegjësinë e saj në këtë pjesë të territorit……mendoj që Kurti ende nuk e ka përkthyer në vepër presionin ndërkombëtar dhe sidomos reagimin e drejtpërdrejtë të ShBA-së”, ka thënë Çejku.

I pyetur se a janë shqetësuese këto reagime, ai tha: “Ju e dini që Kosova herë pas here ka pasur disa keqkuptime, fërkime, mospajtime me ShBA-në, nëse ju kujtohet çështja e demarkacionit, Gjykata Speciale, etj….Kosova pavarësisht marrëdhënieve strategjike me ShBA-të, herë pas herë ka pasur dhe ajo disa çaste, por ka pasur mirëkuptim nga ShBA-të dhe me dialogun e sinqertë janë tejkaluar. Është rasti i parë që ShBA-të ndërmarrin hapa konkret, sanksionimi apo largimi i Kosovës nga stërvitja e ‘Defender 23’ dhe po ashtu bërja publike e këtij vendimi, si një lloj sanksioni  ndaj Kosovës, apo dënimi”.

Çejku po ashtu theksoi se është bërë një kohë e gjatë që Qeveria e Kosovës dhe ShBA-të janë kundërthënës me njëra – tjetrën dhe nuk ka një pajtueshmëri tradicionale mes tyre.

Siç vlerësoi ai ky është dëmi më i madh që i shkaktohet sot Kosovës.

“Pavarësisht deklaratave, veprimet janë ato që tregojnë një mospajtim. Mendoj që humbja më e madhe është për Kosovën, e cila ShBA-në e ka aleatin e saj strategjik”, tha tutje diplomati Çejku.

Gjithashtu ai vlerësoi se kryeministri Kurti, vepron përtej kapaciteteve, mundësive dhe arsyeve të tij si kryeministër në raport me ShBA-në.

“Karshilliku dhe mungesa e takimeve me ambasadorin amerikan dhe konsiderimi si një qasje naive e sekretarit Blinken që në fakt nuk është thjesht Blinken, por, Departamenti i Shtetit dhe të gjitha agjencitë e ShBA-së duke i konsideruar naive, mendoj që kanë dhe do të kenë një kosto politike për kryeministrin Kurti dhe forcën e tij politike”, tha ndër të tjera Çejku.

Publikime te ngjashme