Konjufca i ashpër me BE-në: Me qenë qysh duhet, i thonë Vuçiqit rri qatje në Kinë

1 minute, 20 seconds Read

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është shprehur i ashpër me qasjen e Bashkimit Evropian karshi Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë në RTK Radio të mërkurën në mbrëmje, Konjufca ka thënë se me qenë qysh duhet BE-ja, sipas tij, do të duhej t’i thoshte Vuçiqit rri atje në Kinë.

Kryeparlamentari u shpreh se mesa duket BE-ja nuk po e kupton që orientimi i Vuçiqit është Rusia e Kina e jo Perëndimi.

“Por kur e rreh pyka pykën, sikur ka ndodhur më 24 shtator, bijnë orientimet strategjike dhe shkon ja u jep dorën atyre që të kanë në grusht, Rusia dhe Kina. Shkon te ata bosat e vërtetë… të tij [Vuçiqit] e kam fjalën. Nuk e di a po kuptohet drejt [nga Bashkimi Evropian], fatkeqësisht më duket jo. Me qenë Bashkimi Evropian qashtu qysh duhet, një vend që ti thua se është kandidat me ardh te na, e shkon atje e bën takime sekrete me Putinin, me qenë qysh duhet Bashkimi Evropian është dashtë me i thanë rri qatje krejt pra [në Kin], ti mos u kthe hiç, ti nuk na vyn hiç neve”, ka thënë Konjufca.

Që pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Qeveria e Kosovës vazhdimisht i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, duke publikuar dëshmi se ajo qëndron prapa atij sulmi. Deri tash, kërkesat e institucioneve të Kosovës nuk janë përfillur.

Publikime te ngjashme