Musliu, Kurtit: Je thjesht një produkt i porositur në ‘Ali Express’

1 minute, 34 seconds Read

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, gjersa ka kërkuar nga ai që t’i lejojë deputetët e partisë së tij që të votojnë parimisht e në bazë të përgjegjësive që kanë në Kuvend.

Musliu në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për rezolutën e PDK-së për ndihmë financiare për Policinë e Kosovës tha se Kurti ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha.

“Mos harro se ke ardhur me premtime të mëdha në pushtet, ndërsa veprimet e tua si qeveritar në krahasim me premtimet në fushatë po e dëshmojnë çdo ditë se ti je thjesht një produkt i porositur në ‘Ali Express’…që porosit diçka tjetër, e vjen diçka tjetër….Je një dështak dhe dështimin tënd do të bartësh me veti jo vetëm ti por dhe pasardhësit e familjes tënde”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së më tej tha se 24 shtatori nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i një qeverisje të degjeneruar që politikën e brendshme e ka vënë në shërbim të një njeriu kurse atë të jashtëm e ka drejtuar në një qorrsokak përplot vërejtje, masa e sanksione.

Ajo më tej shtoi se vet qasja e Beogradit, trajtimi i terroristëve si hero, mbajtja ditë zie dhe lirimi i Milan Radoiçiqit ka dëshmi se ka potencial për riorganizim me qëllim hakmarrjen për dështimin që pësuan në veri.

“Institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturat kriminale të Serbisë, jo vetëm në veri, por në tërë territorin…”, tha ndër të tjera Musliu.

Publikime te ngjashme