Këshilli i Ministrave miraton kontratën, dronët turq “Bayraktar TB2” së shpejti në Shqipëri

1 minute, 17 seconds Read

Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar vendimin për kontratën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë turke Baykar Makina, për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot Bayraktar TB2.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes, përfaqësuesve të firmës turke “Bayraktar”, Ambasadorit të Republikës së Turqisë u nënshkrua në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilot me firmën e njohur turke ‘Bayraktar’.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohje për ndihmën që qeveria turke ka dhënë vitet e fundit në mbështetje të Forcave të Armatosura.

“Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme. Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Firma “Bayraktar Technology” është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme.

Publikime te ngjashme