Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik vetëm gjatë 48 orëshit të fundit në Kosovë.
Në orët para të së martës, një person humbi jetën ndërsa tre të tjerë u lënduan si pasojë e një aksidenti në fshatin Shatricë të Klinës.
Sipas policisë, të lënduarit janë dërguar për tretman në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR). Në aksident ishin të përfshirë dy vetura civile me targa vendore. Deri te aksidenti kishte ardhur gjerë sa i dyshimti ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Klinës në drejtim të fshatit Ujmir dhe me të arritur në fshatin Shtaric- Klinë, kalon në anën e majtë dhe me pjesën e parë ballore përplaset në automjetin e viktimës qe ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt. Në vend të ngjarjes mjeku kujdestarë ka konstatua vdekjen e njërit nga të lënduarit ( i dyshuari) gjerë sa tre persona të lënduar janë dërguar për në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim të policisë.
Ndërsa, mëngjesin e sotëm vdiq një person, i cili po trajtohej në QKUK si pasoj e aksidentit që ndodhi mbrëmjen e së hënës në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti bëri me dije se aksidenti ka ndodhur gjatë pasdites së të hënës, teksa viktima i cili është 48-vjeçar ka vdekur në SHSKUK në orët e para të së martës.
“Mbrëmë rreth orës 18:00, është raportuar për një aksident trafiku me lëndime i shkaktuar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë’ në segmentin rrugorë në hyrje të Vushtrrisë. Në aksident ishin përfshirë tri vetura, si pasojë e aksidentit lëndime kanë pësuar tre persona të cilët janë dërguar në emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë, më pas dy nga të lënduarit janë dërguar në SHSKUK –Prishtinë. Ndërsa, me datën 12 mars 2024, rreth orës 00:20, nga SHSKUK- ja, është raportuar se i lënduari viktima M.M.48 vjeçar, ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML”, shtoi ai.
Një tjetër aksident tragjik ndodhi edhe mbrëmjen e së shtunës në Klinë, ku dy persona, burrë dhe grua vdiqën pasi vetura e tyre u përplas me trenin.
Sipas njoftimit të policisë, rasti ndodhi në Krushevë të Madhe rreth orës 18:00.
“Aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i automjetit (i vdekuri) nuk e ka ndaluar automjetin në shenjën STOP para vendkalimit mbi hekurudhë me ç’rast është goditur nga treni. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në obduksion” – thuhet në njoftim. /Ballkani.info