Nëse hulumtojmë në internet do të gjejmë se disa qytete të Ballkanit kanë zhvilluar harta interaktive për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Për shembull, Dubrovniku disponon një hartë interaktive të muzeve, Selaniku ofron harta për monumentet historike, Sofja ka platforma interaktive për trashëgiminë kulturore, Plovdivi paraqet muzetë e qytetit të vjetër në formë digjitale, ndërsa Sarajeva promovon zonën historike dhe turistike të Baščaršisë përmes hartave interaktive.
Një projekt që kombinon në një platformë të vetme muze, kulla tradicionale, fotografi, përshkrime historike, lokalizim të saktë në hartë, QR Code dhe harta informative të vendosura fizikisht pranë secilit objekt, është realizuar për herë të parë në Komunën e Suharekës.
Ky projekt u konceptua dhe u realizua nga OJQ GIS & Software Solution dhe u përurua më 13 qershor, në Ditën e Çlirimit të Suharekës, dhe është përkrahur nga BG ING për tu vendour në të gjitha Kullat dhe Muzetë e kësaj komune.
Në hartën interaktive janë përfshirë tre muze me rëndësi të veçantë historike:
- Muzeu i Qytetit të Suharekës, i cili ruan dhe prezanton trashëgiminë historike të komunës;
- Muzeu i Martirëve të Familjes Berisha, ku ruhen dëshmitë e gjenocidit të kryer nga forcat serbe ndaj Familjes Berisha, gjatë të cilit u vranë 49 anëtarë të familjes, ndërsa vetëm tre arritën të mbijetojnë;
- Shtëpia-Muze e Heroit Fadil Vata, një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës kombëtare shqiptare, i cili që në moshë të re u angazhua në veprimtarinë patriotike dhe, pavarësisht burgosjeve dhe torturave, nuk u tërhoq kurrë nga ideali për liri.
Projekti prezanton gjithashtu edhe kullat më të rëndësishme historike të Komunës së Suharekës.
Kulla e Ramë Bllacës në Bllacë është simbol i rezistencës kombëtare. Ajo u ndërtua nga Heroi Kombëtar Ramë Bllaca si përgjigje ndaj politikave të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova. Pas vrasjes së tij, misionin patriotik e vazhduan fëmijët e tij.
Kulla e Rezistencës në Samadraxhë u kushtohet 22 burrave të këtij fshati, të vrarë gjatë periudhës 1912–1945, një pjesë e të cilëve humbën jetën në Masakrën e Tivarit dhe në vende të tjera jashtë Kosovës.
Kulla e Jonuz Hasan Tafollit, në fshatin malor të Çadrakut, është një ndër kullat më monumentale të rajonit dhe shërbeu si qendër e organizimit të patriotëve shqiptarë dhe e mbajtjes së takimeve me rëndësi kombëtare.
Pjesë e projektit janë edhe Kullat e Lirisë në Krushicë të Epërme, Budakovë, Bllacë dhe Dobërdelan, të ngritura në nderim të dëshmorëve, luftëtarëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan për lirinë e vendit.
Në secilën prej këtyre kullave është vendosur një hartë informative. Harta përmban dy kode QR: njëri e orienton vizitorin drejt lokacionit të saktë të objektit, ndërsa tjetri e lidh me platformën interaktive, ku gjenden fotografi, përshkrime historike dhe informacione të detajuara në gjashtë gjuhë të ndryshme.Ky projekt përfaqëson një model modern të interpretimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, duke kombinuar teknologjinë GIS, hartat interaktive dhe informacionin shumëgjuhësh për ta bërë trashëgiminë historike më të qasshme për qytetarët dhe turistët vendas e ndërkombëtarë.
Ky është projekti i 4 i kësaj organizate pas: Hartës së Monumenteve Natyrore dhe Kulturore Historike nën Mbrojtje të Komunës së Suharekës, Katalogut turistik të Komunës dhe qytetit të Suharekës dhe Hartës Orientuese të qytetit të Suharekës.


