Shkruan: Demir Reshiti
Tradita e takimeve dhe darkave të përbashkëta të intelektualëve opojanë që jetojnë e veprojnë në Prishtinë, por që asnjëherë nuk e harrojnë vendlindjen e tyre – Opojën, vazhdoi edhe kësaj radhe me një tjetër mbrëmje të veçantë.
Këto takime tashmë janë shndërruar në një hapësirë ku ndërthuren kujtimet, miqësia, përvojat jetësore dhe bisedat mes njerëzve që me punën e tyre kanë lënë e vazhdojnë të lënë gjurmë në shoqërinë tonë.
Nikoqir i kësaj darke ishte prof. dr. Nexhmi Hyseni, njëri nga kirurgët më të shquar në Kosovë dhe më gjerë, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kirurgjisë pediatrike në vendin tonë, duke vendosur themele të rëndësishme në këtë fushë.
Në takimin tonë të fundit, disa muaj më parë, dr. Nexhmiu kishte shprehur dëshirën që të ishte ai sponsori dhe nikoqiri i darkës së radhës. Si organizator dhe koordinator i këtyre ndejave, më kërkoi vetëm që ta lajmëroja me kohë, në mënyrë që ditën e caktuar t’i përkushtohej kësaj mbrëmjeje si një nikoqir i vërtetë.
Dhe ashtu ndodhi.
Javën e kaluar e telefonova dr. Nexhmiun, i cili sapo ishte kthyer nga një qëndrim rreth një muaj e gjysmë në Amerikë, dhe ia përkujtova se kishte ardhur momenti i darkës. Ai e pranoi ftesën pa asnjë hezitim, madje më falënderoi për vazhdimin e kësaj iniciative.
Këtë herë ai propozoi që ta “zhvendosnim” takimin nga kryeqyteti, për të ndryshuar ambient dhe për ta shijuar edhe më shumë shoqërinë. Zgjedhja ra mbi një restorant në fshatin turistik të Reçanit, disa kilometra larg Prizrenit – një vend ku natyra dhe qetësia i dhanë edhe më shumë hijeshi kësaj mbrëmjeje.
Mua më mbeti detyra e bukur, por edhe përgjegjëse, që t’i ftoja pjesëmarrësit – shumica prej tyre doktorë shkencash, profesorë universitarë dhe personalitete që kanë lënë gjurmë në Prishtinë, Prizren dhe në mbarë Kosovën.
Disa nga të ftuarit, për shkak të angazhimeve të tyre, nuk arritën të ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje, ndërsa të tjerë e pranuan me kënaqësi ftesën dhe iu bashkuan këtij takimi të veçantë.
Meqë kësaj radhe ndeja zhvillohej në territorin e komunës së Prizrenit, ishte e natyrshme që në këtë tryezë të ftoheshin edhe disa nga intelektualët opojanë që jetojnë e veprojnë në këtë qytet.
Propozimin tim për të ftuar prof. dr. Selami Sylejmanin, dr. Hatim Baxhakun dhe dr. Rafet Abazi – tre personalitete të spikatura që kanë dhënë kontribut të çmuar në mjekësinë prizrenase dhe më gjerë – nikoqiri i darkës e përkrahu me shumë dashamirësi.
Nga Prishtina u nisëm drejt Prizrenit me disa makina.
Prof. dr. Misin Misini, njëri nga ideatorët dhe mbështetësit e këtyre takimeve, kishte marrë përsipër që me makinën e tij t’i sillte deri në Reçan dhe t’i kthente sërish në Prishtinë prof. dr. Nuridin Mestanin – nikoqirin e darkës së parafundit, prof. dr. Nehat Krasniqin dhe teologun e mirënjohur Resul Rexhepi. Ky i fundit, për shkaqe shëndetësore, edhe pse kishte shumë dëshirë të ishte me ne, nuk arriti të na bashkëngjitej.
Në veturën tjetër, të drejtuar nga mr. Mervan Zejnullahu, drejtor ekzekutiv në Odën e Përmbaruesve të Kosovës, udhëtuan veterani i gazetarisë Gëzim Baxhaku dhe shefi i Departamentit të Historisë në Institutin Albanologjik të Kosovës, prof. dr. Nuridin Ahmeti.
Unë u nisa veçmas nga Prishtina, pasi kisha disa angazhime për t’i kryer në Prizren. Ndërkohë, në momentin e fundit iu bashkuan udhëtimit edhe onkologu i njohur në Kosovë, dr. Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, si dhe prof. dr. Meleq Bahtijari, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Në Prizren u takuam edhe me dr. Sadri Hulajn, specialist i emergjencës, themelues dhe udhëheqës shumëvjeçar i repartit të emergjencës në Spitalin e Prizrenit. Së bashku u nisëm drejt Reçanit, ku arritëm pothuajse në të njëjtën kohë me mysafirët e tjerë.
Pas një prezantimi dhe falënderimi që bëra në cilësinë e organizatorit për nikoqirin dhe sponsorin e kësaj darke, fjalën ia kalova dr. Nexhmiut.
Ai kishte edhe arsye të veçanta për ta organizuar këtë takim, sepse për të kjo mbrëmje kishte edhe një dimension familjar e emocional: fëmijët e tij po vazhdojnë me sukses rrugën që ai ua ka hapur me punë dhe përkushtim.
Djali i tij, Guri, pak ditë më parë kishte përfunduar me sukses specializimin pas një përvoje të gjatë universitare në SHBA, ndërsa vajza e tij, Fjolla, ka ndërtuar emër në Amerikë në fushën e mjekësisë.
Krahas ushqimit të mrekullueshëm të përgatitur nga kuzhinierët me përvojë të restorantit Fuad-As, kjo mbrëmje u pasurua me biseda të ngrohta, kujtime, humor dhe shaka që i dhanë edhe më shumë shije kësaj ndejeje të paharrueshme.
Ishte edhe një dëshmi tjetër se largësia nuk i zbeh rrënjët dhe se njerëzit që ndajnë të njëjtën dashuri për vendlindjen gjithmonë gjejnë kohë për t’u takuar.
Në fund, falënderoj nga zemra doktor Sadriun për të gjitha fotografitë e realizuara me profesionalizëm që do të ngelin një kujtim i bukur për të gjithë ne që ishim pjesëmarrës por edhe për familjarët dhe dashamirët tonë!
Reçan, 18 qershor 2026.

