Feja kundër qeverisë, pesë besimet fetare njëzëri “jo” nismës për surrogacinë

1 minute, 11 seconds Read

Pesë komunitetet fetare në Shqipëri dalin njëzëri kundër projekt-ligjit për shëndetin riprodhues dhe seksual.

Pasi mori kohë dhe shqyrtuan draftin e ministrisë së Shëndetësisë, Këshilli ndërfetar e cilëson të papranueshme dhe të dëmshme për familjen dhe shoqërinë shqiptare ligjërimin e surrogacisë, të sterilizimit me dëshirë,  lejimin e abortit deri në javën e 14,  si dhe çështje të tjera që dëmtojnë konceptin e familjes.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i përberë nga 5 besimet fetare në vend dhe me kryetar kryepeshkopin Anastas Janullatus, i janë drejtuar zyrtarisht krerëve më të lartë të shtetit dhe Avokatit të Popullit.

Besimet fetare në Shqipëri kërkojnë pjesëmarrjen e tyre në shqyrtimin e këtij drafti, në të kundërt ai duhet të tërhiqet nga diskutimi dhe të mos kalojë në Kuvend.

Projektligji për shëndetin riprodhues, i cili i hap rrugën shtatzënisë surrogative përmes nënës zëvendësuese, krijimit të bankës së qelizave riprodhuese dhe dhurimit të tyre, lejimin e sterilizimit apo dhe abortit në javën e 14 të gruas shtatzënë është hedhur për konsultim publik.

Kjo nismë e ministrisë së Shëndetësisë është kundërshtuar  nga një grup mjekësh specialistë të fushës, nga opozita, por goditja më e fortë tashmë i erdhi nga besimet fetare në vend.

Publikime te ngjashme