Donald Trump të shtunën mbrëma tha se ai duhet të zgjidhet përsëri president i SHBA në 2024 për siç ka thënë “që të shmangej një Luftë e Tretë Botërore”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ish-presidenti tha se Amerika duhet të ndalojë së shpenzuari miliarda dollarë për mbrojtjen e Ukrainës, se ai do t’i jepte fund luftës në “një ditë” nëse zgjidhej dhe kërkoi që aleatët e NATO-s të paguajnë më shumë për koston e konfliktit.

Në një fjalim maratonë që zgjati një orë e 45 minuta në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator (CPAC), Trump shmangi përsëritjen e pretendimeve të tij të mëparshme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “vjedhur”.

Trump tha: “Ne do të kemi Luftën e Tretë Botërore nëse diçka nuk ndodh shpejt. Unë jam i vetmi kandidat që mund ta bëjë këtë premtim – Unë do të parandaloj Luftën e Tretë Botërore”.

Trump foli në një sallë të mbushur plot në një qendër konferencash në Maryland, pak jashtë Uashingtonit.

Ai pati një pritje të entuziazmuar dhe u ndërpre me thirrjet “Edhe katër vjet”./Telegrafi