Detaje ekskluzive, vrasja në Podujevë dyshohet se u krye nga profesionist që mund të jetë paguar

1 minute, 17 seconds Read

Dje në një market të qytetit të Podujevës u vra Valmir Breznica, i njohur me pseudonimin “Dhia”.

Breznica nga fshati Sekiraq i Podujevës, sipas burimeve të Ballkani.info brenda organeve të hetuesisë është person me precedent penal.

Ballkani.info ka mësuar detaje ekskluzive nga organet e hetuesisë që dyshimet e para janë që Breznica është ekzekutuar nga një profesionist dhe jo nga një i mitur siç u raportua në media.

Sipas burimeve, vrasja ka ndodhur brenda marketit, ku personi i dyshuar ka gjuajtur dy karikatorë me shumë gjakftohtësi mbi viktimën. Fillimisht e ka zbrazur karikatorin e parë të revolës, e ka vendosur të dytin dhe sërish ka gjuajtur mbi Breznicën.

I dyshuari për kryerjen e vrasjes nuk ka qenë i maskuar dhe as nuk ka mbajtur ndonjë kapelë për tu kamufluar nga kamerat që e kanë kapur. Po ashtu burime të Ballkani.info kanë treguar se i dyshuari nuk është 15 vjeçar, por dyshohet të jetë profesionist.

Deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar një person për ndihmë në kryerje të krimit, mirëpo dorasit ende nuk i kanë rënë në gjurmë.

Po ashtu burime brenda organeve të drejtësisë kanë treguar se Breznica i njohur si “Dhia”, kishte plagosur një person para disa kohësh në një qendër tregtare në hyrje të qytetit të Podujevës, e quajtur “Park Plaza”.

Sipas organeve të drejtësisë, Breznica ka precedent penal dhe është i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale./Ballkani.info

Publikime te ngjashme