Bislimi paralajmron se votuesit shqiptar nga Kosova që votojnë në Medvegjë, mund të përballen me pengesat administrative në kufi

2 minutes, 0 seconds Read

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që të dalin në zgjedhjet që mbahen këtë të diele në Serbi.

Bislimi, mes tjerash përmendi që zgjedhjet lokale në Serbi po ballafaqohen me shkelje, pasi si pasojë e pasivizimit shumë votues nuk gjenden në regjistrat e votuesve.

“Të dielën e 17 dhjetorit, bashkatdhetarët tanë në Luginën e Preshevës, kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve. Projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”, shkroi Bislimi.

“Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”.

“Zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës. Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2”.

“Zgjedhjet lokale atje, po përballen me shumë shkelje. Si pasojë e pasivizimit, shumë votues shqiptarë nuk gjenden në regjistrat e votuesve duke ia mohuar të drejtën e votës”.

Ai gjithashtu përmendi votuesit nga Kosova që shkojnë në Medvegjë për të votuar, pasi sipas tij, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi.

“Gjithashtu është shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi”.

“Kam njoftuar në lidhje me këtë situatë dhe emisarin Lajçak, ku kërkova gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla”.

“Shqiptarët duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat dhe liritë për komunitetin tonë që jeton në atje. Vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes”.

“Në këtë betejë politike, secila votë është e vlefshme. Ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit, me vendosmëri e guxim”, shkroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Publikime te ngjashme